Kur vjen fundjava, të gjithë kanë dilemën se çfarë do të bëjnë apo ku do ta kalojnë atë. Mbi të gjitha tani në sezonin e verës, që alternativat janë të shumëllojshme.

Këtë fundjavë të parë të muajit qershor, kur edhe temperaturat janë të larta dhe relativisht shkojnë deri në 30 gradë, sugjerimi i parë është plazhi. Një fundjavë në plazh është jo vetëm rekalusese, por edhe tepër argëtuese. Por ku?

DurrësLajm” do t’ju sugjeronte plazhin e Kallmit, i cili njihet si një plazh i virgjër dhe me ujëra tepër të pastra, padyshim një ndër të paktat që kanë mbetur të pashkatërruara nga dora vrastare e njeriut.

Rrethuar nga kodrina, gjelbërimi dhe gjineshtrat, Kallmi, vetëm 8 km larg qendrës së Durrësit, ofron magjinë e freskët në verën e nxehtë. Plazhi i Kallmit shtrihet në pjesën perëndimore të qytetit bregdetar, dhe nga Tirana deri te plazhi i Kallmit, rruga zgjat rreth 45 minuta. Deri te Currilat, rruga është e mirë dhe e asfaltuar, ndërsa nga Currilat deri te plazhi i Kallmit është me një infrastrukturë jo fort të mirë, por që ia vlen të përshkruhet për shkak të bukurisë që të rrethon në të katërta anët.

Për të gjithë adhuruesit e plazheve jo fort të populluara, të freskisë, qetësisë dhe pastërtisë, kjo zonë është zgjedhja ideale. Plazhi me guralecë dhe ujë të pastër, me shkëmbinj të kthyer në dallgëthyese dhe trampolina natyrore, e bën këtë një plazh të adhuruar dhe të kërkuar nga të gjithë, kaq të ndryshëm nga plazhi i madh ranor i Durrësit.

Kallmin mund ta shfrytëzoni ndër të tjera edhe për të bërë “hiking” në kodrat e gjelbra që e rrethojnë atë. Gjithashtu mund të vizitoni edhe ‘mullinjtë e erës’ që ndodhen në një ndër lokalet e zonës.

Duke pasur parasysh se është një vend shumë piktoresk, këtu mund të realizoni edhe foto mahnitëse, aq të bukura sa do të çmendni gjithë “Instagram”-in.

S.L.