Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar në lidhje me skemën e re të kualifikimit të mësuesve duke mohuar çdo lajm të disa medieve të cilat kanë shkruar se kualifikimi do të jepet me koncesion.
“Në asnjë rast nga ana e drejtorit të Institutit të Zhvillimit të Arsimit, Gerti Janaqi, nuk është përmendur ky term, përkundrazi gjatë intervistës së tij dhënë për këtë medium, janë sqaruar rezultatet e raportit të identifikimit të nevojave për trajnim të mësuesve dhe drejtuesve, si dhe thirrjes së ekspertizës ndërkombëtare e vendase për të ristrukturuar skemën e zhvillimit profesional të mësuesve, bazuar në nevojat e identifikuara”, thekson MAS.
Në reagimin zyrtar thuhet se identifikimi i nevojave për mësuesit sjell mundësinë e zhvillimit profesional të tyre.
“Identifikimi i nevojave për trajnimin e drejtuesve dhe mësuesve u krye për çdo Drejtori Arsimore Rajonale/Zyrë Arsimore, shkollë dhe mësues duke krijuar për herë të parë mundësinë e pajisjes së hartës kombëtare të nevojave për trajnim në fushat e planifikimit, metodologjisë së mësimdhënies, etikës dhe komunikimit dhe zhvillimit profesional. Të dhënat e dala nga ky proces ofrojnë mundësinë që zhvillimi profesional të mos ofrohet njëlloj në tematika apo module, por sipas nevojës individuale për çdo mësues”.
Nga ana e tij, drejtori i Institutit të Zhvillimit të Arsimit Gert Janaqi ka theksuar se “një nga mundësitë e zhvillimit të skemës së re të kualifikimit dhe trajnimit profesional të mësuesve mund të jetë dhe përfshirja e agjencive private dhe e Institucioneve të Arsimit të Lartë Publik dhe Jopublik ashtu siç veprohet dhe sot në Shqipëri, por dhe në vendet e BE-së, apo ndonjë skemë tjetër ku MAS e ofron vetë këtë shërbim”.
Po ashtu, MAS ka bërë me dije se në lidhje me hartimin e skemës së re të kualifikimit dhe trajnimit për zhvillimin profesional të mësuesve, do të jetë proces gjithëpërfshirës, ku pjesë e diskutimit janë pëfshirë specialistë nga universitetet, si dhe agjencitë ekzistuese të krediteve dhe ekspertë ndërkombëtar.
Ky proces do të finalizohet pas 26 marsit.