Teuta është kualifikuar në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, pasi ka mundur me rezultatin 2-0 në Durrës ekipin e Skënderbeut. Trajneri i Teutës, Edi Martini, thekson se Kupa është një aktivitet primar për skuadrën e tij që e sheh si rrugë për të shkuar në Europë:
“Me Skënderbeun ishte një ndeshje shumë e rëndësishme, barazimi me Tiranën i dha djemve shumë moral për këtë ndeshje. Janë ndeshje me një takim, duhet të jesh i kujdesshëm, patëm raste në pjesën e parë të shënonim, nuk arritëm ku duhej. Dëmtimi i Beqjes dje para stërvitjes na reduktoi, bëri të kthenim Llocin para zonës, edhe pse nuk është roli i tij e bëri perfekt si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe sulmuese. Arifi me Peposhin luajti mirë, dyshja e sulmit mbajti peshën kryesore të lojës, e kishim planifikuar të luanim me dy pykat që të mos ishim të çbilancuar. Djemtë luajtën mirë, kishim mundësi të tjera për të shënuar, edhe pse në 15 minutat e fundit e menduan ndeshjen të fituar, i dhanë shanse Skënderbeut të rrezikonte, gjë që nuk duhej të ndodhë.
Kisha dy zgjidhje, ose të futja Dajën e të kishim më shumë ekuilibër. Duke pasur parasysh që Daja kishte shumë minuta, doja që në fazën ofensive të isha më i qartë dhe të isha pranë portës. Ishte eksperiment kthimi i Llocit, por duke pasur parasysh formën e Gjinit, Jazxhi e Kotobellit, kisha besim te kjo treshe që do të jepte forcë sulmit. Është ai rrisku që kam folur me veten time, por nuk kisha shumë zgjedhje. Është e rëndësishme se këto djem kanë luajtur shumë ndeshje të mira, kanë humbur shumë raste, jemi dënuar në fund. Vjen një moment që humb besimin. Kjo treshe që ka ardhur, nuk e ka ndjerë atë presion dhe morali i tyre është ndryshe. Kishim nevojë për oksigjen, gjak të ri, ambicie të tjera, kanë rritur konkurrencën se çdo vend pothuajse është i dubluar. Ardhjet e janarit i kanë bërë mirë ekipit edhe moralisht, edhe fizikisht, edhe në konkurrencë.
Djemtë e kanë automatizuar 3-5-2, unë vazhdoj të jem partizan i kësaj, edhe pse ka ndeshje të veçanta ku duhet të bëj edhe mënyrë tjetër loje. Laçi? Kjo është arsyeja pse bëmë disa ndërrime, pasi ndeshja shkoi 2-0, që të lëmë ato lojtarë të çlodhen, të jenë gati për ndeshjen se është e rëndësishme e duhet ta lënë Kupën pas krahëve. Është ndeshje kampionati, shumë e vështirë, na duhen pikët, do të shkojmë të luajmë për t’i marrë dhe është më e rëndësishme se kjo. Edhe pse Kupa është primare te ne, ndeshja me Laçin është e rëndësishme. Në këto momente duhet të jemi shumë pragmatistë, të fitojmë ndeshje, marrim pikët, siç morëm kualifikimin”, tha Martini.