Për të dytën herë në historinë e tij, FC Kopenhageni arriti që të kualifikohet në 1/8-at e Ligës së Kampioneve, në një grup ku ata dukeshin thjesht si maskotë, përpara gjigantëve të Bajernit të Mynihut, anglezëve të Mançester Junajtid dhe turqve të Gallatasarajit. Por futbolli është i bukur sepse ofron edhe surpriza madhështore si këto, pasi skuadra e drejtuar nga Xhejkob Nestrut tronditi të gjithë, duke arritur që të kualifikohet në vend të dytë, pas fitores me Gallatasarajin në mbrëmjen e të martës. Padyshim që pas një arritjeje të tillë, shërbente edhe një surprizë e bukur nga ana e klubit, e cila ka qenë jo vetëm shumë e gjetur, por u bë menjëherë edhe shumë virale në rrjet.

Përpara vërshëllimës finale, në tabelën elektronike të stadiumit danez doli një ftesë: “Jeni gati për nga një birrë të gjithë së bashku? Paguan klubi!”. Dhe menjëherë në “Parken Staduim” nisën që të vijë nga një birrë falas për secilin prej 30 mijë të pranishmëve që kuptohet, pasi e duartrokitën gjestin e klubit të tyre dhe vazhduan festën për kualifikimin për në 1/8-at e Ligës së Kampioneve për gati 1 orë pas përfundimit të ndeshjes, duke i dhuruar vetes një kujtim të bukur në këtë muaj festash.