Nga Gëzim Kabashi

Të pasionuarit e muzikës janë magjepsur mbrëmjen e kaluar nga tingujt e veprave ntë Beethoven dhe Brahms, të cilat kumbuan në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

“Kuarteti i Kremonës”, me seli në Gjenova, i cili prej 21 vitesh ka sjellë në auditoret më të njohur të botës kompozimet e autorëve të mëdhenj, këtë herë ishte mysafir i Bienales “Netët e Muzikës Klasike”, themeluar në vitin 2003 dhe që drejtohet nga violinisti durrsak Florian Vlashi.

Ndërkaq, sot paradite kanë konkuruar 12 solistë të rinj, që të gjithë nxënës durrsakë, të cilët bashkë me çmimin kryesor, që u siguron një qëndrim të shkurtër si dhe një apo dy koncerte si solistë në Spanjë, do të kërkojnë të jenë edhe fitues të çmimit më të ri “Simone Gramaglia”, që siguron të njejtin kujdes edhe për fituesin alternativ të konkursit.

Beethoven dhe Brahms në “Kopshtin e kënaqësive tokësore”

Vlashi, që prej vitit 1992 jeton dhe punon në Spanjë thotë se “Vepra e jashtëzakonshme dhe enigmatike “Kopshti I kënaqësive” e vitit nga Hieronymos Bosch – El Bosco është origjina e titullit të këtij edicioni të Bienales.

Sipas Florian Vlashit, “mbi bazën e numrit të përkryer 3 (Fillimi dhe Fundi), si dhe numrit të shenjtë 7 (Netët e Bienales) është ndërtuar kjo shëtitje “Në kopshtet sekrete të Muzikës dhe Pikturës”, dhe sekreteve u afrohesh vetëm kur botën e shikon dhe e dëgjon me ndihmën e dy arteve që njeriu krijoi para Fjalës: Muzika dhe Piktura”.

Në dy mbrëmjet me të cilat staroi ky edicion, i cili ka thyer për të dytën herë traditën e koncerteve falas, duke vendosur biletën si një kontratë artistike mes palëve, kanë interpretuar tashmë artistë të shquar nga vendi ynë, nga Kosova dhe nga Italia.

Që nga koncerti i parë, në sallën me ajër të kondicionuar të teatrit “A. Moisiu” ka nisur të shfaqet “harmonia mes muzikës dhe projeksioneve të pikturave, tingujt e Kukuzelit, Bach, Beethoven, Granados, Strauss, Scoenberg, etj që shkrihen me kryeveprat bptërore nga El Bosco, Onufri, Caravaggio, Goya, Dali’, Klimt, …”.

Pas interpretimit të këngëtarëve lirikë nga Prishtina, Kaltrina Miftari dhe Safet Berisha, në koncertin “Stabat Mater” kushtuar regjisorit, përkthyesit dhe shkrimtarit Gjergj Vlashi, In Memoriam, mbrëmja e kaluar solli për publikun disa nga kuartetet e Bethovenit dhe Brahmsit.

“Quartetto di Cremona” shpërfaqi seriozitetin profesional të ansamblit instrumental si dhe përvojën e gjatë prej më shumë se dy dekadash së bashku në interpretimin e veprave në kuartet.

Artistët nga Gjenova krijuan një atmosferë të veçantë në sallën “Moisiu”, e cila deri tani ka njohur kryesisht interpretimet dramatike të trupave shqiptare.

Që nga viti 2004 Cristiano Gualco, Paolo Andreoli, Simone Gramaglia dhe Giovanni Scagliones janë mjaft të njohur në podiumet shqiptare të muzikës klasike, dhe për Bienalen e Durrësit kishin zgjedhur dy vepra impenjative nga L. Van Bethoven “Kuarteti nr 12” dhe “Gran Fuga”, që merituan duartrokitjet e gjata të publikut të pranishëm.

Për interpretimin e kuartetit me dy viola nga J. Brahms instrumeentistët nga Gjenova kishin ftuar edhe violistin e njohur nga Tirana, Arben Llozi, i cili prej disa vitesh është pjesë e Kuartetit për koncertet në skenat shqiptare.

Koncerti I Kuartetit të Kremonës në sallën e teatrit “Moisiu” konsiderohet si një nga interpretimet më të mira të muzikës klasike në Durrrës, duke sjellë mjaft kënaqësi tek artdashësit vendas dhe të huaj.

Solistët e rinj durrsakë, veç Spanjës edhe çmimi “Simone Gramaglia”

Artistët italianë ia lanë në dispozicion solistëve të rinj skenën e teatrit të Durrësit, ku sot u ngjitën 12 fëmijë dhe të rinj, kryesisht nxënës në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” të qytetit.

Për më shumë se tre orë, juria e drejtuar nga Simone Gramaglia, një nga komponentët e Kuartetit të Kremonës, ndoqi me kujdes interpretimin e nxënësve durrsakë:  nëntë pianistë të rinj, një violinist dhe tre kitaristë të ardhshëm.

Megjithëse fituesit do të nderohen publikisht në koncertin e datës 8 gusht, Kristel Karagjozi, 16 vjeç dhe Erin Bajo, 14 vjeç janë njohur me verdiktin e jurisë.

Pianistja 16-vjeçare gëzon të drejtën të jetë mysafire e familjes Rediana dhe Florian Vlashi në Korunja (Spanjë), ku sipas traditës që nga viti 2007 mikpritësit organizojnë edhe një apo dy koncerte të mysafirit fitues të konkursit të Yjeve të Rinj. Kristel Karagjozi, nxënëse e pedagoges Linda Zemblaku, do të jetë soliste edhe në një koncert të organizuar në Gjenova të ofruar nga “Gioventu’ Musicale d’Italia”.

Risia e këtij viti ka emrin e çmimit special “Simone Gramaglia”, instrumentist i Kuartetit të Kremonës, i cili në muajt e ardhshëm do të mbështesë qëndrimin e artistit të ri fitues Erin Bajo në Itali për një Materclass.

Gramaglia tha se artistët e rinj shqiptarë janë mjaft premtues dhe duhet të mbështeten fuqimisht.

“Ata duhet të përballen me publikun si koncertistë që në moshë të re, dhe ky çmim ia jep mundësinë fituesit të shfaqë talentin e tij në një nga auditoret italianë të muzikës – tha artisti italian.

Sipas Simone Gramaglias, çmimi me emrin e tij do të jetë pjesë e Bienales së Durrësit edhe në edicionet e ardhshme.

Që nga edicioni i tretë i Bienales në vitin 2007  kur filloi të ndahej ky çmim, fituesit e konkursit “Nata e Yjeve të Rinj” në Durrës kanë qenë: Albana Karaj, Kamela Haxholli, Erli Lila, Rolando Deda, Laura Sulaj dhe Klaudia Gjini.

Tashmë një pjesë e tyre ka nisur karrierën artistike në Shqipëri dhe në vende të ndryshme të botës.

Koncerti i radhës në Edicionin nr 10 te Bienales ‘21 do të jetë mbrëmjen e së premtes me “Sonata Espanola” (nga Goya te Dali’) dhe me interpretët Florian Vlashi dhe Etrita Ibrahimi e Martin Vlashi.