Papa Françesku do të zhvillojë javën e ardhshme një takim historik me Patriarkun Kiril, kreun e kishës ortodokse ruse. Takimi do të zhvillohet në Aeroportin Ndërkombëtar “Jose Marti” të Havanës, në Kubë. Papa Françesku do të ndalojë në kryeqytetin kuban, në pritje të vijimit të udhëtimit të tij për në Meksikë. Pikërisht aty ai do të takohet me Patriarkun Kiril, ku, sipas asaj që është njoftuar, do të diskutohet për “persekutimin e të krishterëve në mbarë botën.” Në përfundim të takimit pritet edhe nënshkrimi i një deklarate të përbashkët. Ky është takimi i parë mes krerëve të dy rrymave të mëdha të krishtërimit, asaj perëndimore dhe lindore, që prej ndarjes së tyre para afro 1000 vjetëve.