Një nga aspektet më të lodhshme të udhëtimeve ajrore mund të bëhet së shpejti pjesë e së kaluarës. Kufizimet për transportin e lëngjeve dhe xhelrave në bagazhet e dorës, mund të hiqen në disa aeroporte evropiane, falë teknologjive të reja të sigurisë dhe miratimit të pritshëm të sistemeve të avancuara të kontrollit.
Që prej vitit 2006, udhëtarët kanë qenë të detyruar të mbajnë lëngje në enë me kapacitet maksimal 100 ml, të vendosura në një qese plastike transparente me kapacitet total prej 1 litri, një masë që u vendos për të parandaluar sulmet terroriste me eksplozivë të lëngshëm. Ky rregull ka qenë në fuqi për gati dy dekada në të gjitha aeroportet e Bashkimit Evropian.
Megjithatë, sipas raportimeve nga e përditshmja italiane La Repubblica, përparimi teknologjik po ndryshon rregullat e lojës. Konferenca Evropiane e Aviacionit Civil (ECAC) është pranë miratimit të një versioni të përmirësuar të softuerit të përdorur nga skanerët Hi-Scan 6040 CTiX të kompanisë Smiths Detection.
Këto pajisje ofrojnë imazhe 3D me saktësi të lartë dhe janë të afta të zbulojnë objekte të dyshimta dhe substanca eksplozive.
Nëse testimet përfundimtare shkojnë mirë, udhëtarët mund të mos kenë më nevojë të nxjerrin laptopët apo tabletët nga bagazhi gjatë kontrollit të sigurisë dhe do të lejohen të marrin me vete edhe shishe me lëngje mbi 100 ml, përfshirë pije, xhelra dhe produkte kozmetike.
Gjithsesi, kalimi drejt këtij standardi të ri nuk ka qenë pa pengesa. Pavarësisht investimeve të konsiderueshme nga disa aeroporte, Komisioni Evropian vendosi papritur të rikthente kufizimet në vitin 2024, për shkak të dyshimeve të ngritura kryesisht nga autoritetet amerikane mbi besueshmërinë e pajisjeve të reja.
Kështu, që nga 1 shtatori 2024, kufizimet e mëparshme u rikthyen në pothuajse të gjitha aeroportet, duke shkaktuar probleme teknike dhe reagime të forta në vende si Italia, Gjermania, Irlanda, Malta, Holanda dhe Suedia.
Pakënaqësia ishte e madhe, jo vetëm nga udhëtarët, por edhe nga administratat e aeroporteve që kishin investuar shuma të mëdha, skanerët e rinj kushtojnë deri në tetë herë më shumë se modelet e vjetra dhe kërkojnë mirëmbajtje më të shtrenjtë.
Megjithatë, investimi u konsiderua i domosdoshëm për të rritur nivelin e sigurisë dhe për të përmirësuar përvojën e udhëtarëve.
Pas testimeve të fundit dhe përmirësimeve teknike, duket se pengesat janë tejkaluar. Institucionet në Bruksel po shqyrtojnë seriozisht heqjen e kufizimeve gjatë verës, ndoshta që në muajin gusht.
Është e rëndësishme të theksohet se kjo ndryshim nuk do të zbatohet në të gjitha aeroportet, por vetëm në ato që kanë instaluar teknologjinë e re të sigurisë “intelligjente”.
Aeroportet që nuk kanë bërë ende përditësimet e nevojshme, do të vazhdojnë të përdorin rregullat e vjetra.





