DURRËS, 24 tetor 2013 – Kufitarët e ministrit Saimir Tahiri kanë bllokuar 28 për qind të peshkatoreve të kontrolluara në Adriatik dhe bregdet, pas një operacioni ndërinstitucional ku patën dhe ndihmën italiane, në hapësirën midis grykëderdhjeve të lumenjve të Bunës dhe Vjosës. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrësit njofton se më 23 tetor 2013, u kontrolluan hapësirat detare nga derdhja e lumit Buna deri në derdhjen e lumit Vjosa dhe vija bregdetare nga Tale deri në Bedat. Kjo, në zbatim të detyrave të një plani operacional të ndërmarrë nga Drejtoria Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Durrës “Për kontrollin e mjeteve lundruese dhe goditjen e trafiqeve të kundraligjshme që kryhen me mjete lundruese nëpërmjet kufirit blu”, për realizimin e së cilit po bashkëpunohet edhe me QNOD-in (Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare) me seli në Plepa dhe Guardia di Finanza-n. Operacioni vazhdoi 12 orë, nga ora 06:00 -18:00. U përfshinë një numër mjetesh lundruese dhe shërbimesh të policisë kufitare. Kontrollet kanë konsistuar në pajisjen me dokumentacion të mjeteve lundruese, personat në bord, licencat dhe zbatimi i kushteve të tyre, etj. Si përfundim, u kontrolluan gjithsej 74  peshkatore, ku janë konstatuar mungesa në dokumentacion në 21 të tilla (28 për qind) dhe është marrë masa e bllokimit administrativ. Rezultatet e operacionit sipas vendndodhjes së peshkatoreve:

Në det

Në hapësirën detare “gjiri i Durrësit-derdhja e lumit Vjosa” janë kontrolluar 5 mjete peshkimi të cilët janë gjendur të rregullt; në hapësirën “gjiri i Durrësit-gjiri i Lalëzit” u kontrolluan 4 mjete, që rezultuan të rregullta; në zonën “derdhja e lumit Buna-derdhja e lumit Mat” u kryen 8 kontrolle të mjeteve në peshkim, 3 nga të cilat u gjendën me mungesa në dokumentacion dhe u krye bllokimi administrativ i tyre; në portin e Shëngjinit u kontrolluan 7 mjete peshkimi, të cilat rezultuan të rregullta. Gjithsej, në det, u kontrolluan 24 mjete peshkimi dhe u bllokuan 3 të tilla administrativisht  për mungesa në dokumentacion.

Në vijën bregdetare

Në vijën bregdetare, në zonën “Shëngjin-Tale” janë kontolluar 5 mjete lundrimi, dhe për mungesa në dokumentacion janë bllokuar 4 prej tyre; në zonën “kepi i Rodonit-Porto Romano” janë kontrolluar 8 mjete peshkimi, nga të cilat, për mungesa në dokumentacion, janë bllokuar 3 prej tyre; në zonën “Qerret-Golem” janë kontrolluar 17 mjete peshkimi dhe për mungesa në dokumentacion janë bllokuar 4 të tilla; në zonën “Divjakë-Dajlan” janë kontrolluar 20 mjete peshkimi dhe për mungesa në dokumentacion janë bllokuar 7 prej tyre. Gjithsej, nga shërbimet që kanë operuar gjatë vijës bregdetare dhe në vendbazime janë kontrolluar 50 mjete peshkimi, nga të cilat janë bllokuar 18 mjete.

Info / Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare

Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) është një institucion ndërdikasterial që ka për detyrë të sigurojë vëzhgimin e hapësirës detare shqiptare, për të realizuar organizimin, planëzimin, bashkërendimin dhe drejtimin e operacioneve në det, në përputhje me legjislacionin detar kombëtar dhe ndërkombëtar. Institucionet pjesëmarrëse në QNOD janë: Ministria e Brendshme me prani 24 orëshe me anë të koordinatorëve institucionalë dhe oficerëve të shërbimit; Ministria e Mbrojtjes me prani 24 orëshe si dhe bën operimin dhe mirëmbajtjen e Sistemit të Vëzhgimit të Hapësirës Detare; Ministria e Financave me prani 24 orëshe nëpërmjet koordinatorëve institucionalë dhe Oficerëve të Shërbimit; ish-Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave me prani 24 orëshe koordinatorëve institucionalë dhe oficerëve të shërbimit; ish-Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit me kapacitet bashkërendues; ish-Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve me kapacitet bashkërendues; ish-Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me kapacitet bashkërendues.

MISIONI

QNOD-i garanton menaxhimin dhe kontrollin e kufijve detarë shqiptarë, sigurinë e jetës në det dhe ndërveprimin e institucioneve shtetërore që kanë përgjegjësi dhe interesa në hapësirën detare. Është institucion kombëtar që garanton ushtrimin e sovranitetit dhe të drejtave sovrane të shtetit shqiptar në hapësirën detare nëpërmjet menaxhimit të integruar të burimeve kombëtare të institucioneve që kanë përgjegjësi dhe interesa në det. Bashkërendon dhe drejton operacionet detare për kontrollin e kufirit detar; kundër trafikut të paligjshëm; të luftës kundër terrorizmit; kundër krimit të organizuar; e kërkim-shpëtimit dhe dhënies së ndihmës në det; e antindotjes; në mbrojtje të peshkimit; për ruajtjen e ekuilibrit ekologjik dhe mjedisit detar; për mbrojtjen dhe mirëadministrimin e pasurisë peshkimore (biomasa ihtiologjike); për sigurinë e jetës në det.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/