DURRËS, 18 janar 2014 – Brenda 10 minutave, dy tërmete të lehta nga jugperëndimi i liqenit të Pogradecit, në perëndim, në kufirin Tiranë-Durrës, Marikaj. Rrjeti sizmologjik shqiptar ka regjistruar më 18 janar 2014, fill pas mesnatës, ora: 00:32:31 GMT ose ora 1:32:31 (koha e Shqipërisë + 1 h GMT), lëkundje toke me forcë M=2.6, me epiqendër në thellësinë 27 km. Sipas departamentit të sizmologjisë së universitetit publik Politeknik të Tiranës, dukuria tektonike ka ndodhur në largësinë 4 km në vijë ajrore në jugperëndim të Vorës-Tiranë në koordinatat 41.36°V, 19.64° L (shih etiketën në hartën nr. 1, pika e kuqe). Për të orientuar më mirë përdoruesit e internetit, ngjarja sizmike ka ndodhur mu në kufirin ndarës të rretheve të Tiranës dhe Durrësit. Lëkundjet e lehta të tokës janë vërejtur në jug të fshatit Marikaj të bashkisë së Vorës, në vargun e kodrave piktoreske me lartësi 200 metra mbi nivelin e detit (shih foton kryesore nga Fation Plaku), midis fshatrave Gjokaj, Kuç, Picar të Vorës së Tiranës dhe fshatrave Vlashaj, Karpen, Bodinak, Metallë të komunës së Maminasit e Shtrazë e Shahianj të komunës së Gjepalajt të Durrësit (shih shigjetën e gjelbër në hartën nr. 2 dhe foton satelitore; pikën e kuqe në hartën nr. 3). Sigurisht, nuk ka njoftime për viktima apo dëme materiale. 10 minuta më parë, sizmografët kishin regjistruar lëkundje të lehta toke (M=2.4), me epiqendër në thellësinë 7 km, në largësinë 8 km në vijë ajrore në jugperëndim të liqenit të Pogradecit, në koordinatat 40.83°V, 20.68°L.

Info

Bashkia Vorë (Tiranë) ka në përbërje qytezën e Vorës dhe fshatrat Gërdec, Gjokaj, Kuç, Marikaj, Marqinet, Picar, Shargë.

Komuna Maminas (Durrës) ka në përbërje fshatrat Maminas, Karreç, Vlashaj, Karpen, Bodinak, Metallë, Bilalas, Rubjekë.

Komuna Gjepalaj (Durrës) ka në përbërje fshatrat Ardhishte, Çizmeli, Eminas i Vogël, Gjepalaj, Likesht, Kënetë, Shtrazë, Shahinë, Shetel.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/