DURRËS, 25 tetor 2013 – Kufitarët e Durrësit bllokojnë edhe 6 mjete peshkimi, duke ua mbledhur rripat edhe lezhjanëve, kavajasve e lushnjarëve në një aksion në det dhe në tokë të zhvilluar për 12 orë rrjesht më 24 tetor 2013. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrësit njofton se më 24 tetor 2013, nga ora 6:00 deri në orën 18:00, u kontrolluan hapësirat detare nga derdhja e lumit Buna deri në derdhjen e lumit Vjosa dhe vija bregdetare nga Tale deri në Bedat. Ishte një operacion në vazhdim të atij të datës 23 tetor 2013, që Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare dhe Migracionit Durrës po ndërmerr në territorin, që është në juridikisionin e saj në bashkëpunim me QNOD-in (Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare) e Guardia di Finanza-n. Gjatë 24 tetorit janë kryer gjithsej 43 kontolle të mjeteve lundruese të peshkimit, ku janë gjetur me mungesa në dokumentacion 6 mjete peshkimi; ndaj tyre është marrë masa e bllokimit administrativ, si dhe pika e prodhimit e servisit të mjeteve lundruese, e cila nuk ishte pajisur me dokumentacionin perkates dhe u gjobit. Ja rezultatet më të detajuara:
Në det
Në hapësirat detare kanë vepruar tre mjete lundruese, të cilat kanë kryer kontrolle për dokumentacion, personat në bord, licencat dhe zbatimin e kushteve të licencave. Gjithsej në det janë kontrolluar 4 mjete peshkimi të cilat kanë rezultuar me dokumente të rregullta.
Në tokë
Në vijën bregdetare janë angazhuar forcat sipas stacioneve të PK&M (Policisë Kufitare dhe Migracionit): stacioni PK&M Shëngjin ka vepruar në zonën “Shëngjin-Tale”, ku u kontolluan 13 mjete lundrimi dhe, për mungesa në dokumentacion, është bllokuar 1 peshkatore; stacioni PK&M Durrës ka vepruar në zonën “Kepi i Rodonit-Porto Romano-Përroi i Agait”, ku u kontrolluan 10 mjete, nga të cilat, për mungesë dokumentacioni, është bllokuar 1; stacioni PK&M Spille (Kavajë) ka vepruar në zonën “Qerret-Golem-derdhja e Shkumbinit”, ku u kontrolluan 15 peshkatore dhe, për mungesa në dokumentacion, u bllokuan 3 mjete; stacioni PK&M Divjakë (Lushnjë) ka vepruar në zonën “Divjakë-Dajlan” ku u kontrollua 1 mjet, i cili për mungesa në dokumentacion (motor) është bllokuar; në qytetin e Lushnjës është konstatuar një pikë prodhimi dhe servisi e mjeteve lundruese, e papajisur me dokumentacionin përkatës, poseduesi i të cilës u gjobit me 150 mijë lekë; gjithsej nga forcat që kanë vepruar gjatë vijës bregdetare dhe në vendbazime janë kontrolluar 43 mjete peshkimi, nga këto janë bllokuar 6 mjete peshkimi dhe 1 gjobitur.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





