Dekania e fakultetit të Biznesit vlerëson si parësore për femrat shqiptare rritjen e besimit në vetvete dhe të qenurit më ambicioze për të nxjerrë në pah cilësitë e tyre në komunitetet ku jetojnë. Sipas Kseonela Sotirofskit ndryshimi i stereotipave të shoqërisë sonë do të bëjë të mundur krijimin e më shumë hapësirave për gratë në karrierë.

Sa e vështirë është të jesh grua në karrierë në ditët tona dhe cilat janë problematikat më të shpeshta me të cilat përballeni qoftë me eprorët apo vartësit tuaj meshkuj?

Në fakt fjala “në karrierë”, përgjithësisht në mendjet e njerëzve asociohet me imazhin e nje burri dhe jo një gruaje dhe stereotipet kulturore shqiptare janë ende të vështira për tu “shembur”. Mendoj se në ditët tona dhe në kulturën tonë është e vështirë të jesh grua në karrierë, por shumë sfiduese kur i “mund” vështirësitë. Burrat në drejtim konsiderohen si autoritarë, ambiciozë dhe mbrojtës, ndërsa gratë si të përulura, delikate dhe të fokusuara më tepër në marrëdhënie. Në fakt, në vendin e punës ku unë punoj, edhe pse pjesa më e madhe e stafit drejtues përbëhet nga meshkuj, nuk mund të them se kam hasur probleme që i mbaj mend si të pakapërcyeshme. Një karakteristikë mund të jetë edhe dinamika e stafit. Ne jemi një staf relativisht i ri në moshë dhe mendoj se kemi arritur t’i kapërcejmë disi barrierat gjinore. Në fakt, unë e përkufizoj veten time, aftësitë dhe sfidat e mia me “gjininë” time. E di që ka diferenca midis të qenurit burrë dhe grua në shoqërinë ku unë jetoj. Është pjesë e imja të qenurit femër, por kjo nuk më përcakton ose më bën të veçantë.

A ju është dashur të sakrifikoni për të arritur objektivat që i keni vënë vetes?

Patjetër. Njeriu i vendos vetes shpeshherë objektiva të vështira për t’u arritur. Të qenurit njeri, detyrimisht do të thotë që ke shumë role. Roli i nënës, gruas, drejtueses, mësimdhënëses, shoqes etj. Të gjitha këto role e të tjera, kanë objektivat e tyre specifike. Ndonjëherë, për të arritur një objektivë, duhet të “lësh pas dore”, disa nga rolet e tjera. Megjithatë, për mua ka rëndësi që në çdo rol të mundohesh të japësh maksimumin dhe të japësh më cilësoren nga ajo që mundesh.

A përballeni me skepticizmin e burrave gjatë ushtrimit të detyrës?

Edhe pse nuk dua ta pranoj, mendoj se po. Ndjej që në Shqipëri (por jo vetëm) detyrat që i besohen grave janë më të kufizuara.

Gjithnjë flitet për vështirësitë që mund t’i krijohen një femre nga kolegët e saj meshkuj, por pak flitet për raportet me vartëset femra. Si mund t’i vlerësoni këto raporte?

Në fakt stafi që unë drejtoj kryesisht përbëhet nga femra. Mendoj që jam me fat për këtë, pasi siç e përmenda më sipër, ne jemi një staf me moshë relativisht të re dhe me ambicje dhe ego progresive. Përveç trajtimit nga ana akademike, gjithmonë mundohem që gjatë drejtimit të mbaj parasysh edhe rolin social të femrave që janë pjesë e stafit të Fakultetit.

Numri i grave të angazhuara në pozicione drejtuese në parti politike, në biznes, në administratën publike etj. ka ardhur duke u rritur vitet e fundit. Sipas jush çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim për t’i dhënë femrës vendin që meriton? 

E vërtetë. Më frymëzon ky fakt dhe kur shikoj gratë shqiptare të angazhuara në pozicione drejtuese në fusha të ndryshme, gjithmonë e më shumë më shtohet bindja se ne jemi një forcë shumë e rëndësishme në zhvillimin e vendit. Për t’i dhënë femrës vendin që meriton, përveç politikave në nivel makro që mendoj se janë duke u zhvilluar në mënyrë dinamike, them se gratë shqiptare edhe njëherë duhet të rrisin besimin në vetvete, të jenë më ambicioze, të nxjerrin në pah cilësitë dhe të angazhohen më shumë në komunitetet ku ato jetojnë.