Ndryshimi i orarit të qarkullimit të lëvizjes në 05:00 – 13:00 dhe duke u bllokuar totalisht deri të hënën në mëngjes në orën 05:00, ka bërë që qytetarët në Durrës të dalin për të bërë pazare.
Mëngjesi i sotëm në qytetin e Durrësit paraqitet kryesisht i qetë. Qyetarët kanë zënë radhë për të marrë bukë te furrat në afërsi të banesave të tyre, për t’u furnizuar kështu edhe për ditën e diel, pasi një ditë më parë, u mor vendimi për mbylljen e furrave të bukës sot në orën 13:00 dhe hapjen e tyre po të hënën në mëngjes në 05:00.
Ndërkohë, edhe Policia Bashkiake me megafon vazhdon t’iu bëjë thirrje banorëve të Durrësit për të respektuar masat e ndërmarra nga qeveria dhe duke i rikujtuar oraret kufizuese, ndërsa njoftojnë se nga sot në rrugë deri të hënën, do të jenë vetëm forcat e policisë dhe ushtrisë, shërbimet shtetërore dhe përfaqësues të kompanive mediatike.
Orari është i hapur edhe për 3 orë të tjera, ndërsa më vonë priten radhë të gjata në supermarkete, ku qyetarët janë të detyruar për të ruajtur distancën dhe radhën jashtë ambienteve të pikave ushqimore.





