DURRËS, 2 qershor 2013 – Një dramë emigracioni në vitin 2013. Kufoma që u gjet mbrëmjen e së shtunës në plazh është identifikuar dhe bashkë me të dhe motivet që e shtynë viktimën drejt detit. Kishte vendosur të sfidonte autoritetet e shtetit fqinj, por edhe detin në një mot aspak të favorshëm, po dështoi në aventurën e tij.
Pasditen e së dielës, policia e Durrësit deklaroi se është identifikuar trupi pa jetë që doli në bregdetin e plazhit të Durrësit. Nga verifikimet e bëra rezultoi se viktima është Ilir Cuni 41 vjecc nga Tirana, i njohur dhe me emrin Viktor. Nga ekspertiza mjeko-ligjore ka rezultuar se vdekja e Cunit ka ardhur si pasojë e mbytjes. Drejtoria e Policisë së qarkut Durrës bëri të ditur se viktima ishte deportuar nga Greqia pak kohë më parë. Dy ditë më parë, ai kishte telefonuar familjarët e vet për t’u thënë se do të kthehej në Greqi, duke kaluar me not Kanalin e Korfuzit.
Trupi pa jetë i tij u konstatua nga banorë të zonës, në sektorin "Apollonia" të plazhit të Durrësit. Në veshje iu gjet një dokument me emrin e shtetasit Viktor Murrizi nga Tirana, i datëlindjes 20 maj 1972, dokument që ndihmoi në identifikimin më të shpejtë të kufomës në bashkëpunim me autoritetet policore të kryeqytetit.
/v.q. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





