Pas lajmit për gjetjen e një kufome në Dajt, familjarët e këngëtarit të zhdukur nga Elbasani, Renato Hamzës, u paraqitën vetë në morgun e Tiranës.

“Panorama” shkruan se pa u lajmëruar nga policia, familjarët kërkuan identifikimin e kufomës. Megjithatë nuk kanë mundur ta identifikojnë. Sipas tyre, kufoma nuk ngjason me Renato Hamzën.

Këngëtari i muzikës tallava, i njohur ndryshe si Reni, ishte 21 vjeç kur humbi të gjitha kontaktet me familjarët. Ai mori një telefonatë nga disa persona, që iu prezantuan si pronarë të një lokali dhe doli me shpejtësi nga shtëpia paraditen e 29 qershorit të vitit 2014, sipas dëshmisë së nënës së tij. Që prej asaj dite, familjarët nuk e panë më.

Dëshmitarët thanë se Renaton e futën me forcë në një makinë me targa të Kosovës. Hera e fundit që u pa 21-vjeçari ishte brenda në makinë, në rrethrrotullimin “1 Maji”, në qendër të Elbasanit, teksa kërkonte ndihmë.