11 shtator 2015 – Janë hedhur dyshime të forta për mundësinë e falsifikimit të biletave të blera “online”, çka krijoi edhe një shqetësim serioz në radhët e tifozëve kuqezinj për ndeshjen Shqipëri-Portugali, të zhvilluar, më 7 shtator në “Elbasan Arena”.

Kjo e detyroi FSHF-në, që më 3 shtator, të dilte me një njoftim për t’i qetësuar tifozët, duke i garantuar për sigurinë 100% të biletave të blera “online”, ndërkohë që “hacker”-at tregojnë se mund t’i falsifikojnë ato, edhe pse biletat janë të personalizuara.

Nëse edhe në sfidën ndaj Serbisë, biletat do të shiten vetëm “online”, atëherë ata që do ta sigurojnë një biletë në këtë mënyrë, të mos e fotografojnë dhe të mos e hedhin atë në internet, pasi “hacker”-at janë gati për ta vjedhur dhe personi në fjalë mund të mbetet jashtë stadiumit, apo të përballet me organet e policisë.

Gjithsesi, për sfidën ndaj Serbisë, për të cilën ka një interesim të jashtëzakonshëm, FSHF-ja në bashkëpunim me kompaninë që merret me tregtimin e tyre, do të gjejnë një mënyrë tjetër për t’i bërë edhe më të sigurta biletat “online”.

/portali DurresLajm/