Policia Bashkiake Durrës njofton se duke nisur nga data 7 korrik, kjo strukturë do të nisë të aplikojë gjobat e unifikuara me sistemin e E-Gjoba të Policisë së Shtetit, për shkeljet administrative të Kodit Rrugor.
Policia Bashkiake do të ndëshkojë të gjitha kundravajtjet rrugore në të gjithë territorin e bashkisë, prandaj drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes të shtuar.
Po sipas Policisë Bashkiake, pagesa e gjobave do të kryehet në të njëjtin vend ku kryhen pagesat për gjobat e Policisë së Qarkullimit Rrugore.
Gjobat e vendosura nga Policia Bashkiake do të konsistojnë kryesisht për pushimin dhe qendrimin e mjetit në: vendqendrimet e autobuzëve, në trotuar, në rrugëkalime e vendkalime për këmbësorët, në vendqendrim për taxi, në hapësirën e rezervuar për pushimin e mjeteve për invalid, në hyrjet e pallateve/garazhdeve, rrethrrotullim, përgjatë vijës bregdetare etj.
NJOFTIM
Njoftojmë të gjithë drejtuesit e mjeteve të cilët banojnë dhe vizitojnë territorin e Bashkisë Durrës, se duke filluar nga data 07.07.2022 Policia Bashkiake do të ketë akses si dhe do të nisë aplikimin e gjobave të unifikuara me sistemin E-Gjoba të Policisë së Shtetit për shkelje administrative në fushën e Qarkullimit Rrugor në zbatim të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë.
Konkretisht konstatimi dhe ndëshkimi i kundërvajteve, në fushën e Qarkullimit Rrugor objekt i punës së Policisë Bashkiake është parashikuar në nenin 12, pika 1, germa C e Ligjit nr. 8378 datë 22.07.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, thuhet: c) policisë së bashkisë, në bashkitë me popullsi më të madhe se 20000 banorë, për territorin në juridiksion, vetëm për shkeljet që kanë të bëjnë me parkimet, të kryera në rrugët që janë në administrim/prone të bashkisë, të parashikuara në nenin 7, me përjashtim të pikës 12 të tij, nenin 11 pika 1 shkronjat “a” dhe “e”, nenin 85, 86, 87, 89, 155 pika 6, 156 pika 1 shkronjat “g” dhe “h”, pika 2 shkronjat “d”, “e”, “g”, “h”, “i”, “j”, “k” dhe “l”.
Kjo praktikë është bazuar në marrëveshje dy palëshe të bërë midis Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Bashkisë Durrës me nr. 4926 prot., datë 01.06.2022.
Me realizimin e kësaj marrëveshje bashkëpunimi, Policia Bashkiake do të lehtësojë procedurat për qytetarët për të kryer pagesat për kundërvajtjet rrugore në qytetin e Durrësit, kryesisht për pushimin dhe qendrimin e mjetit në: vendqendrimet e autobuzëve, në trotuar, në rrugëkalime e vendkalime për këmbësorët, në vendqendrim për taxi, në hapësirën e rezervuar për pushimin e mjeteve për invalid, në hyrjet e pallateve/garazhdeve, rrethrrotullim, përgjatë vijës bregdetare etj.
Drejtuesit e mjeteve do të kenë mundësi që të paguajnë masat administrative të marra, në të njëjtin vend ku kryhen edhe pagesat e gjobave për Policinë e Shtetit, duke shkurtuar kohë si dhe duke rritur cilësinë e shërbimit për qytetarët.
Qëllimi kryesor i kësaj marrëveshje së bërë me Drejtorinë e Përgjithëshme të Policisë së Shtëtit është për të arritur në një nivel më të lartë performancën në shërbimin qytetarëve.
Policia Bashkiake ndërgjegjëson qytetarët që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor si dhe kërkojmë bashkëpunimin e tyre, pasi Durrësi si një qytet me potencial të madh turistik, ku popullsia gjatë kësaj periudhe gati trefishohet dhe si rrjedhoj vihet re një trefishim i numrit të të automjeteve, gjë e cila kërkon një angazhim të madh të forcave dhe mjeteve të Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit.
Policia Bashkiake falenderon përzemërsisht Policinë e Shtetit e cila bëri të mundur realizimin e kësaj marrëveshje bashkëpunimi, si dhe siguron atë se ky bashkëpunim do të forcohet dhe në fusha të tjera duke pasur si objektiv primar shërbimin sa me dinjitoz ndaj qytetarëve të saj.
Të tregojmë vlerat tona qytetare duke respektuar ligjin.





