Pas informacioneve dhe ankesave të ardhura në sallën e informacionit të Policisë Bashkiake së Durrësit se në vendparkimet që janë të destinuara për invalidët dhe që tregohen me tabela vertikale dhe që janë të vijëzuara, parkohen automjete nga qytetarë të ndryshëm në kundërshtim me ligjin, ka vijuar puna për normalizimin e situatës.
Policia Bashkiake duke marrë në konsideratë këtë shqetësim të drejtë të kësaj kategorie, mori masa duke organizuar punën me patrullat e saj duke bërë të mundur lirimin e këtyre vendparkimeve në gjithë qytetin dhe ndëshkuar kundërvajtësit që në mënyrë të papërgjegjshme duke shkelur ligjin dhe kodin rrugor parkojnë automjetet e tyre në vendparkimet e përcaktuara vetëm për invalidët.
Policia Bashkiake iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe përgjegjshmëri qytetare që të mos parkojnë automjetet e tyre në vend parkimet që janë të përcaktuara për invalidët, stacionet e autobusëve urban, taxi, vijat e bardha për kalimin e këmbësorëve, trotuare dhe hapësira publike.
Për të gjithë ata drejtues mjetesh që shkelin ligjin, Policia Bashkiake do të marrë masa duke vendosur bllokues metalik në gomat e automjeteve që kryejnë kundravajtje. Masa e gjobës për kundërvajtësit është nga 3000- 5000 lekë.
Për të gjithë qytetarët dhe në veçanti invalidët kur konstatojnë që në vendparkimet që janë të përcaktuara për këto kategori, janë të zëna nga automjete të cilat nuk kanë lejen me shenjen dalluese të vendosur mbi kroskotin e makinës, të lajmërojnë sallën e informacionit të Policisë Bashkiake tel.052232250 Policia Bashkiake do t’iu vijë në ndihmë në mënyrën më të shpejtë të mundshme duke bërë të mundur lirimin e vendparkimit dhe ndëshkuar kundërvajtësin.
S.L.





