Patatete e skuqura janë një ushqim shumë i shijshëm dhe i preferuar i shqiptarëve.
Por, duke qenë një ushqim i shpejtë, me kripë dhe mbi të gjitha i skuqur në temperaturë të lartë, ato mbeten të dëmshme për shëndetin. Kjo ndodh sidomos nëse konsumohen rregullisht dhe me tepricë, gjë që ndodh rëndom në vendin tonë.
Problemi me patatet e skuqura është se në kushtet e shtëpisë, amvisat kujdesen gjithmonë të ndërrojnë vajin e skuqjes. Nëpër restorante nga ana tjetër, konsumatori nuk e ka kurrë të sigurtë sa i vjetëruar është vaji për skuqjen e patateve. Përveç vajit, rëndësi ka edhe sasia e patateve që konsumoni në ditë, pasi si për gjithçka sasia e tepërt nuk është asnjëherë e rekomandueshme.
Në këtë artikull të Agroweb.org do të mësoni çfarë ndodh në trupin tuaj nëse e teproni me patatet e skuqura.
Mbipesha
Patatet e skuqura përmbajnë shumë karbohidrate kryesisht të përpunuara. Kësisoj, ato futen në kategorinë e ushqimeve të këqija që nxisin mbipeshën. Trupi i tret ato shumë ngadalë që përkthehet në plogështi, mungesë energjie dhe rrjedhimisht shtim në peshë.
Sëmundjet e zemrës dhe diabeti i tipit 2
Patatet e skuqura janë të mbushura me yndyrna trans të pashëndetshme. Konsumi i tyre rrit nivelin e kolesterolit të keq dhe rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës por edhe diabetit të tipit 2, duke rrezikuar kështu jetën.
Sëmundjet e veshkave
Patatet e skuqura përmbajnë shumë kripë. Një regjim ushqimor i pasur me kripë mund të rrisë rrezikun e tensionit të gjakut. Ky i fundit, përveç zemrës, dëmton edhe veshkat dhe vështirëson punën e tyre në filtrimin e gjakut.
Truri
Substancat që aktivizohen gjatë skuqjes së patateve janë shumë të dëmshme për trurin. Ekspertët thonë se ekspozimi kronik ndaj tyre dëmton qelizat e nervave të trurit dhe nxit sëmundjet që degjenerojnë funksionet e tij.