Bllokimi i lëvizjes së automjeteve në fundin e Bulevardit “Epidamn”, i njohur ndryshe si Rruga Tregtare, deri tek Torra Veneciane për shkak të punimeve që po realizohen për ndërtimin e Velierës ka shkaktuar shumë probleme tek drejtuesit e mjeteve, të cilët pak nga mungesa e sinjalistikës dhe pak se nuk janë informuar, nganjëherë nuk dinë nga të kalojnë për të shkuar në destinacionin e dëshiruar.

Ditët e fundit, meqë fundi i Bulevardit “Epidamn” është bllokuar, lëvizja e mjeteve është zhvendosur në rrugën “Xhamia”, që lidh rrugën e vjetër tregtare me rrugën “Anastas Durrsaku”, që të çon drejt Kodër Vilës, kur ngjitesh në krah të djathtë dhe të shpie drejt Shëtitores “Taulantia” kur ecën në krah të majtë.

Kjo rrugë ka vetëm një sens lëvizjeje, por ditët e fundit, për shkak të kaosit në trafik në këtë zonë, disa automjete lëvizin edhe në drejtim të kundërt.

DurrësLajm sjell pamje pikërisht nga momentet kur automjete të ndryshme hyjnë në sens të kundërt duke bllokuar trafikun e mjeteve.

Për shkak se problematika ka nisur të shtohet, sot në këtë rrugë kishte prezencë edhe të Policisë Rrugore që ndëshkoi të gjithë drejtuesit e mjeteve që nuk respektuan sinjalistikën rrugore.

Për shkak se më parë në këtë rrugë dytësore lëviznin shumë pak automjete, edhe kur ndonjë shofer futej kundravajtje, shkelja kalonte pa u vënë re.

Por tani që kjo rrugë dytësore do të shërbejë si rrugë kalimi për pjesën dërrmuese të automjeteve që do duan të shkojnë drejt Shëtitores “Taulantia” vëmendja e Policisë Rrugore duhet të jetë më e madhe, në rradhë të parë duke njoftuar drejtuesit e mjeteve për ndryshimet e bëra në sinjalistikë dhe njëkohësisht pajisjen e këtij aksi rrugor me të gjithë sinjalistikën e nevojshme për të evituar raste kundravajtjeje në ditët në vijim.