SHBA-të kanë shpallur të martën ndalimin e të gjitha pajisjeve elektronike nga bagazhet e dorës për pasagjerët që do të fluturojnë nga tetë shtete me shumicë myslimane, përfshirë edhe Turqinë, e cila përdoret tranzit nga shumë udhëtarë shqiptarë në udhëtimin e tyre drejt Amerikës. Përjashtim bën vetëm telefoni.
Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare tha se vendimi ishte marrë, pasi dyshohet se bombat mund të fshihen në laptopë, tableta, kamera, DVD playera.
“BBC” thotë se masat do të ndikojnë nëntë kompani ajrore dhe 10 aeroporte, mes tyre edhe aeroporti i Ataturkut në Stamboll dhe kompania turke “Turkish Airlines”.
“Turkish Airlines” dhe aeroporti i Ataturkut përdoren gjerësisht edhe nga shqiptarët për udhëtime tranzit drejt SHBA-ve. Aeroporti i Ataturkit prej vitesh është kthyer në një pikë të rëndësishme transit për shqiptarët që kryejnë udhëtime të gjata drejt shteteve nga ku nuk ka linja direkte për në vendet e rajonit.
Qeveria turke ka reaguar duke theksuar se ndalimi ishte i padrejtë dhe se duhej të kthehej mbrapsht.
Ndërsa, më vonë gjatë ditës edhe Britania e Madhe njoftoi se ka ndërmarrë masa të ngjashme me ato të autoriteteve amerikane.
“BBC” thotë se pasagjerët e rreth 50 fluturimeve çdo ditë nga nyjet e trafikut ndërkombëtar në Lindjen e Mesme dhe në Turqi do të jenë të detyruar të ndjekin urdhrat e rinj.
Lista e aeroporteve dhe vendeve nga të cilat do të ndalohet transporti i pajisjeve elektronike:
Aeroporti Ndërkombëtar i Hamadit, Doha, Katar
Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait, Emiratet e Bashkuara
Aeroporti Ndërkombëtar Abu Dhabit, Emiratet e Bashkuara
Aeroporti Ndërkombëtar i Ataturkut, Istanbul, Turqi
Aeroporti Ndërkombëtar Mbretëresha Alia, Amman, Jordani
Aeroporti Ndërkombëtar i Kairos, Egjypt
Aeroporti Ndërkombëtar Mbreti Abdul, Jeddah, Arabia Saudite
Aeroporti Ndërkombëtar mbreti Khalid, Riyadh, Arabia Saudite
Aeroporti Ndërkombëtar Mohammed V, Casablanca, Marok
Aeroporti Ndërkombëtar i Kuvaitit, Kuvajt
Kompanitë ajrore të ndikuara:
EgyptAir
Emirates
Etihad Airways
Turkish Airlines
Kuwait Airways
Qatar Airways
Royal Air Maroc
Royal Jordanian
Saudi Airlines
Turkish Airlines
Ky urdhër vlen nga 25 marsi deri në një datë të pacaktuar.