Çudirat në vendin tonë janë të shumëllojshme e shumë prej tyre përbëjnë dhe rrezik për jetën e shqiptarëve. Ashtu si dhe rasti i fundit që vjen nga Durrësi, ku një tufë me tela janë varur në mes të një prej rrugëve më të frekuentuara të qytetit.

Pamjet e regjistruara këtë të martë në rrugën “Egnatia”, pranë dy qendrave tregtare që ndodhen në këtë zonë, tregojnë një grumbull me tela (që nuk dihet nëse janë korenti apo të ndonjë lloji tjetër), të cilat janë varur në një distancë 1 metër nga toka.

Secila prej makinave që kalon në këtë aks, detyrohet të bëjë kujdes pasi ato i prekin tavanin dhe xhamin e mjetit, duke u kthyer dhe në rrezik për jetën e qytetarëve pasi edhe mund të jenë të zhveshura e të përcjellin elektricitet.

Kjo ka sjellë dhe nga ana tjetër rëndim të trafikut, për shkak se drejtuesit ulin shpejtësinë kur shohin grumbullin me tela që për pak i futet brenda automjetit.

Ato janë të lidhura nga njëri i krah i rrugës në krahun tjetër dhe po u bien kalimtarëve mbi supe. Deri në rregullimin e situatës, banorët e Durrësit duhet të tregohen të kujdesshëm kur të kalojnë në këtë rrugë.