Fëmijët e prekur nga virozat e stinës janë shtuar ndjeshëm në qytetin e Durrësit. Shefi i repartit të pediatrisë në spitalin rajonal të Durrësit, Dhimitraq Gjergo, thotë se numri i pacientëve të vegjël është shumë më i lartë se ai i të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Pavarësisht se nuk jemi në kushtet e një epidemie, Gjergo ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një grip me temperaturë të lartë që shkon deri në 40 gradë dhe që mund të ketë pasoja deri në bronkopneumoni, nëse nuk trajtohet si dhe kur duhet. Për herë të parë Gjergo ka paralajmëruar kujdes në përdorimin e ilaçeve, një pjesë të të cilave në shqiptarët i përdorim pa kriter, në një kohë që ka këshilluar ndalimin kategorik të disa prej tyre.

Si paraqitet situata përsa i përket virozave të stinës në spitalin e Durrësit?

Duke nisur nga muaji janar dhe tashmë në shkurt vihet re një shtim i dukshëm i rasteve të virozave të stinës, ose gripit sezonal. Më konkretisht, vitin e kaluar ka pasur 2100 vizita në pediatri, në një kohë që në janar dhe deri tani numërohen 3200 vizita. Në vitin e kaluar ka pasur 530 shtrime ditore, në një kohë që nga janari dhe deri tani kemi 1340 shtrime ditore.

Duhet të kemi veçanërisht kujdes në përdorimin e paracetamolit pasi mund të dëmtojë mëlçinë deri në atë gradë që mund ta lerë invalid pacientin gjatë të gjithë jetës. Përsa i përket analginës që njerëzit për fat të keq e përdorin shumë, është hequr tashmë nga qarkullimi për shkak se vërtet e ul temperaturën, por ndërlikimet i jep aq të mëdha sa temperatura është më e mirë se vetë analgina e përdorur për shkak të efekteve anësore. Duhet të trembemi për temperaturën e këtij gripi vetëm atëherë kur arrin në 40, 6 gradë. Duhet të përdoren mjete fizike për uljen e temperaturës, si banja me ujë të vakët, për 15-20 minuta. Uthulla dhe alkooli nuk duhet të vihen sepse nuk japin ndonjë përparësi, madje dëmtojnë

Cilat janë veçoritë e gripit aktual?

Gripi i këtij viti, pavarësisht se nuk është përcaktuar lloji i tij, ka këto të dhëna klinike. Së pari ka temperaturë të lartë deri në 40 gradë Celcius që vazhdon deri në katër ditë. Dy ditë më pas ka një rënie të temperaturës dhe më tej mund të ketë ndërlikime deri në bronkopneumoni. Gjithsesi këto janë raste jo shumë të shpeshta.

Çfarë këshillash do tu jepnit të prekurve nga ky grip dhe veçanërisht prindërve që kujdesen për fëmijët?

Këtu desha të ndalem pak pasi shikojmë se prindërit nuk janë shumë të informuar dhe kanë një fobi nga temperatura. Dua të këshilloj se deri në 38-39 gradë temperaturë nuk duhet të jepen medikamente për uljen e temperaturës, pasi vetë kjo temperaturë bën që të mos zhvillohen mikrobet. Ilaçet për uljen e temperaturës duhet të jepen kur ka mbi 39 gradë temperaturë. Dy janë preparatet kryesore 1-Ibubrofen dhe 2-Paracetamol. Duhet të kemi veçanërisht kujdes në përdorimin e paracetamolit pasi mund të dëmtojë mëlçinë deri në atë gradë që mund ta lerë invalid pacientin gjatë të gjithë jetës. Përsa i përket analginës që njerëzit për fat të keq e përdorin shumë, është hequr tashmë nga qarkullimi për shkak se vërtet e ul temperaturën, por ndërlikimet i jep aq të mëdha sa temperatura është më e mirë se vetë analgina e përdorur për shkak të efekteve anësore. Duhet të trembemi për temperaturën e këtij gripi vetëm atëherë kur arrin në 40, 6 gradë. Duhet të përdoren mjete fizike për uljen e temperaturës, si banja me ujë të vakët, për 15-20 minuta. Uthulla dhe alkooli nuk duhet të vihen sepse nuk japin ndonjë përparësi, madje dëmtojnë. Nëse kemi raste kur ka rënë temperatura dhe më pas rishfaqet përsëri, kemi komplikacione që arrijnë deri në bronkopneumoni. Në këtë rast duhet që të fillojmë që të marrim antibiotikë, por e ritheksoj që antibiotikët merren vetëm në raste ekstreme pasi japin efekte anësore. Në 85-90% të rasteve duhet që ulja e temperaturës të bëhet me mjete fizike, pasi antibiotikët e përdorur pa kriter ulin rezistencën e trupit. Ndoshta jemi vendi i parë në Europë për përdorimin e antibiotikëve. Përdorimi i antibiotikëve vjen ndonjëherë dhe nga frika e mjekëve ndaj sëmundjes , por ka dhe raste abuzimi në këtë drejtim.