Tashmë edhe oborret e banesave në Durrës nuk janë më të sigurta për të shpëtuar automjetet nga dora e hajdutëve.
Një rast i tillë ka ndodhur në Maminas, ku hajdutët, ende të paidentifikuar, kanë hyrë në oborrin e shtetasit K.V., vjeç 61 dhe i kanë marrë makinën tip “Renault Clio”. Ata kanë arritur të hapin derën e oborrit dhe lehtësisht të largohen prej andej me makinën, pa i diktuar njeri.
Ngjarja është konstatuar nga pronari i makinës kur është zgjuar në mëngjes.
Ai e ka denoncuar vjedhjen në polici, ndërkohë kjo e fundit thotë se po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Vjedhjet e automjeteve në Durrës, kryesisht në zonën e Plazhit (lagja 13) dhe kudo tjetër, kanë qenë të shpeshta përgjatë këtij viti. Ndërsa autorët janë zbuluar në pjesën më të paktë të rasteve.





