Pasi lajmëroi muaj më parë se ishin lëshuar gabim qindra pasaporta biometrike në përiudhën 2009-2010, Policia e Shtetit deklaron se do të “tolerojë” përdoruesit edhe një vit. Bëhet fjalë për pasaportat që u lëshuan për shtetas shqiptarë, nën 16 vjeç, për të cilët afati i skadimit është 5-vjeçar dhe jo 10.
Por, në dokumentin e rëndësishëm, prodhuesit e saj, pavarësisht moshës, kishin shënuar që pasaporta skadon pas 10 vitesh. Ky gabim mbeti pa autor, ndërsa qytetarët duhet të kryejnë edhe një herë procedurat e të paguajnë për t’u pajisur me pasaportë të re. Ndërkaq policia ka treguar “falje” për 1 vit, duke njoftuar sot, se për të gjitha pasaportat e lëshuara gjatë periudhës Prill 2009 deri në Korrik 2010 për shtetasit shqiptarë nën moshën 16 vjeç, vlefshmëria e tyre do të jetë 6 vjet pas lëshimit.
“Kjo u bë e mundur pas shtyrjes me 1 vit të vlefshmërisë së këtyre dokumenteve biometrike, për gjithë pasaportat e lëshuara me afat vlefshmërie të gabuar 10 vjeçar. Bëjmë me dije se këto pasaporta edhe pse kanë afat 10 vjeçar, nuk janë të vlefshme, në rast se ka kaluar afati 6 vjeçar. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetareve që para se të nisen për të udhëtuar jashtë shtetit, të kontrollojnë afatin e vlefshmërisë së pasaportës së fëmijëve të tyre”, bëri të ditur Policia e Shtetit.
Çdo shtetas që udhëton jashtë Shqipërisë duhet ta ketë vlefshmërinë e pasaportës mbi 3 muaj, nga dita e daljes në kufi.





