Ndryshe nga ç’mendohej më parë, nuk është klori ai që bën sytë të skuqen nëpër pishina.
Një njoftim i Qendrës për Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA arrin në përfundimin se, klori vetëm kur përzihet me lëndë trupore si urina, djersa apo jashtëqitja, krijon një lëndë të quajtur “kloraminë” që shkakton acarim të syve, e madje edhe të lëkurës ose të rrugëve të frymëmarrjes.
Qendra amerikane për parandalimin e sëmundjeve thotë se për ta shmangur këtë, pishinat duhet të vënë tabela për t’i nxitur vizitorët të përdorin banjat para se të futen në ujë, ose edhe të shpëlahen paraprakisht në dushe.
Për shkak se kloraminat çlirohen në formë gazi, qarkullimi i ajrit nëpër pishina të mbyllura është gjithashtu shumë i rëndësishëm.





