Janë ende të pa rritur mirë, kohën duhet ta kalojnë duke ndjekur shkollën, duke studiuar apo duke luajtur me bashkëmoshatarët, por duket se ata kanë nisur të specializohen në një aktivitet tjetër, vjedhjen e lokaleve.

Brenda 24 orëve të fundit, policia e Durrësit ka dërguar në Prokurorinë e qytetit bregdetar 4 adoleshentë, dy prej të cilëve 14-vjeçarë dhe dy të tjerët 15 vjeç.

Ata akuzohen për vjedhje me thyerje të lokaleve në lagjen nr.6 dhe nr.13 në Durrës, në pronësi të dy shtetaseve nga qyteti bregdetar.

Kështu, policia e Durrësit njofton se “shtetasi i mitur M. P, vjeç 14,, banues në fshatin Shënvlash, dyshohet se, në lagjen Nr. 6, ka vjedhur me thyerje lokalin e shtetases S.Zh, vjeç 43, banuese në Durrës, ku ka marrë një sasi lekësh”.

Ndërkohë në rastin e dytë për ndjekje penale kanë kaluar “shtetasit e mitur E.T, A.D e L.K, vjeç 14, 15 e 15, banues në Durrës, pasi dyshohet se, në lagjen Nr. 13, kanë vjedhur me thyerje lokalin e shtetases T.B, vjeç 62, banuese në Durrës, ku kanë marrë një sasi lekësh dhe produkte ushqimore”. 

Mbi të 4 adoleshentët rëndon akuza "Vjedhje" dhe "Vjedhje në bashkëpunim".