26 korrik 2015 – Numrin e madh të aksidenteve që ndodhin gjatë fundjavës eksprtët e lidhin jo vetëm me pijet alkoolike, por edhe me temperaturat e larta të këtyre ditëve.

Ata theksojnë se temperaturat mbi 40 gradë bëjnë që jo vetëm drejtuesit e mjeteve të humbin përqëndrimin, por edhe këmbësorët, të cilët në të shumtën e rasteve nuk respektojnë as semaforin.

Në një intervistë për ‘Top Channel’, Boris Miska, ekspert i ISHP-së thotë se ka rritje temperaturash të jashtëzakonshme që e kalojnë temperaturën e trupit të njeriut dhe për pasojë kemi një prishje të parametrave brenda organizmit.

“Humbet përqëndrimi, ka luhatje tensioni, ka djersitje, përhumbje të shikimit. Do të thotë që duhet të përdorim më shumë lëngje, ta kontrollojmë veten dhe të marrim informacion ku shkojmë, që ta dimë çfarë mund të ndodhë gjatë rrugës. Një nga shkaqet kryesore të aksidenteve është dhe mbikalimi i shpejtësisë”.

Rritja e numrit të aksidenteve gjatë muajve të verës tregohet edhe nga statistikat e policisë. Gjatë vitit 2014 muaji më i ngarkuar ka qënë muaji gusht me 191 aksidente, 32 të vrarë, 29 të plagosur rëndë dhe 191 të lënduar. Por pothuajse po kaq është dhe numri i aksidenteve që kanë ndodhur në muajt qershor dhe korrik një vit më parë.

Specialistët u bëjnë thirrje qytetarëve të udhëtojnë me shpejtësi normale dhe jo në oraret me temperatura të larta, si dhe të pushojnë në ambiente të freskëta disa herë gjatë udhëtimeve të gjata, raporton ‘Top Channel’.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/