29 shtator 2015 – Kryeredaktori i departamentit të informacionit në “Top Channel” bën një denoncim publik në faqen e tij në Facebook, duke treguar një histori kafshërore që vjen nga Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza.

Një infermiere me emrin Dhurata Hima, që gazetari i thotë vrasëse, ka bërë diçka tronditëse dhe makabre me një paciente që kishte infeksion në veshka.

Në mënyrë të pacipë i kërkonte para, dhe kur pacientja nuk i dha, ajo filloi të hakmerrej. Antibiotikun që kishte përcaktuar mjeku nuk ia fuste në serum, dhe sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, agen ia ngulte në muskul e jo në damar. 

Gjithçka më pas zbulohet dhe rasti i tmerrshëm denoncohet te shefat e spitalit. Por, ç’mendoni se ka ndodhur? Infermierja është pushuar menjëherë nga puna dhe ka nisur një hetim ndaj saj? Jo!

Sipas gazetarit Kikia, ajo vazhdon të ushtrojë profesionin e saj në QSUT, dhe ai bën thirrje që të gjithë të kenë kujdes në rast se do të kenë ndonjë të afërm tek Infektivi, që të mos pranojnë shërbimin e Dhurata Himës.

Lexoni të plotë historinë e publikuar nga Mentor Kikia:

Besoj e dini që qeveria ka një portal online për të denoncuar korrupsionin? Besoj e dini që ka edhe një komisariat dixhital, po për këtë punë. Po denonconi atëherë, çfarë prisni, pse ngelët duke u ankuar rrugëve? Por një paciente në spitalin Infektiv në QSUT nuk përdori as portalin as dixhitalin. Ajo denoncoi tek shefat e spitalit një krim, jo korrupsion, ndaj saj dhe pacientëve të tjerë. Doni ta dini çfarë ndodhi? 

Pacientja ishte shtruar me infeskion në veshka. Pasi i përcaktojnë diagnozën, përcaktojnë edhe mjekimin dhe infermierja Dhurata Hima do t’i bënte shërbimet. Në mënyrë të pacipë dhe të paturpë fare, ashtu siç i karakterizon një pjesë të bluzave të bardha tonat, ajo i kërkonte para sistematikisht për shërbimin dhe pacientja e vendosur nuk i jep. Atëherë fillon hakmarrja. Infermierja i bënte serumet dhe nuk i fuste antibiotikun që kishte përcaktuar mjeku, derisa këtë e pikas një kolege dhe njofton pacienten që priste të shërohej nga infeksioni, por që merrte vetëm glukozë. Ndërkohë që shërbimi shndërrohet në kafshëror, duke ia ngulur agen në muskul e jo në damar. 
Pacientja denoncon tek mjekët dhe në spital plas bomba. Verifikohen rastet dhe ajo nuk ia kishte bërë mjekimin sipas recetës së mjekut, në të paktën 4 raste. Pastaj i kishte thënë se nuk ka antibiotik. Pastaj zbulohet se antibiotiku që ishte hequr për pacienten në dollapin e infermierisë per 8 ditë, ishte zhdukur, pra ishte vjedhur, e padyshim shitur…. 

Mjekët ishin pataksur. Ata marrin para, por jo deri në këtë pikë…. Pas një mbledhjeje urgjente, pacientja thërritet për të dëshmuar te shefat e spitalit dhe përfundimisht pretendimet e saj konfirmohen. Pacientes i bëhen analizat nga e para për të mësuar se çfarë dëmi kishte pësuar nga mosmjekimi. Të gjithë mendonin se pas kësaj, infermierja Hima do të shporrej nga spitali dhe uronin pacianten për nderin që i bëri spitalit dhe pacientëve. Pastaj i gjithë personeli kishte shqyer gojën duke folur për maskarallëqet e kësaj infermiereje, që kishte qenë edhe shefe. Pacientja u bë heroinë e denoncimit dhe kurajos qytetare. Mjekët e tjerë e përgëzonin dhe nxisinin të mos hiqte dorë nga denoncimi, pasi infermierja arrogante i përulej te dera e dhomës duke iu qaravitur që ta falte. 

Po pastaj?

Hiç… kaluan ditë, pacientja qëndroi edhe 4 ditë më shumë në spital që të mjekohej. “Relacioni” nga spitali infektiv shkoi dhe në drejtorinë e QSUT-së, por sërish hiç. Infermierja vazhdon të jetë në punë, tashmë edhe më “e fortë”. Pacientja lë spitalin dhe takon shefin për herë të fundit, për të mësuar ç'u bë me denoncimin e saj. “I kemi lënë zotin”, kishte thënë ai. Bukur shumë. Ndërsa mjekët e tjerë kishin ulur kokën. Beteja ishte humbur. Kapardisjet e infermieres vrasëse se nuk kanë ç’i bëjnë, kishin qenë të vërteta.

Tani një këshillë: Shpërndajeni këtë denoncim që po bëj unë. Kush ka të afërm të shtruar tek Infektivi në QSUT bëni kujdes, mos e pranoni shërbimin e infermieres Dhurata Hima. Shefi i spitalit ka thënë se i ka lënë Zotin, por derisa Zoti ta marrë vesh se ç’bëjnë "bijtë" e tij në QSUT, e hëngrët. 

Ndaj ruhuni!

/S.L. portali DurresLajm/