B. Dafku është 45 vjeç me origjinë nga Veriu i Shqipërisë, por banues prej vitesh në Tiranë ka zgjedhur sot emisionin “Me Zemër të Hapur” në News 24 për të rrëfyer historinë e jetës së tij, martesës që nisi me mashtrim siç pretendon ai, e po shkon drejt divorcit.
Ai u martua para 13 vitesh (në 2005-n) me Feride Shehajn dhe kjo po me origjinë nga veriu.
Ata sollën në jetë tre fëmijë. Dy djem të moshës 13 vjeç dhe 11 vjeç si dhe vajzën që është aktualisht 8 vjeçe. Në tre vitet e para të martesës gjithçka shkonte shumë mirë, derisa një ditë B. mësoi se gruaja e tij vuante nga shëndeti mendor. Ajo ishte e diagnostikuar që në adoleshencë me skizofreni kronike, por familja e saj nuk i kishte treguar të shoqit.
Ky i fundit vendosi ta pranojë fatin që i ra dhe vazhdoi jetesën me gruan. Sipas tij, vjehrri Emin Shehu ndërhynte shumë në familjen e tyre. “Kur e kapnin krizat shkonte te babai dhe i thoshte se kam ushtruar unë dhunë. Vjehrri më ka denoncuar dy herë në polici për dhunë në familje”, thotë zoti B.
Hera e parë ishte në 2015-n, ku ai kreu dhe 8 muaj burg. Sapo doli nga burgu, qëndroi 1 muaj e gjysmë dhe sërish vjehrri e denoncoi e pas atij momenti u dënua me 7 muaj të tjerë burg. Ai tregon se është i pafajshëm dhe se s’ka kryer dhunë në familje, pasi ka dëshmitarë fëmijët.
Skandali i gjithë kësaj historie qëndron te fakti se B. me të dalë nga burgu ka zbuluar disa mesazhe në telefonin e gruas, ku vjehrri e mësonte të bijën se si ta helmonte.
“Futja B. fostoksinën, kujdes pjatat se mos ia hedh kalamajve lexoje dhe fshiji kartat”, shkruante vjehrri, tregon ai live në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur”.
“Vjehrri ka kërcënuar djalin 13-vjeçar që ai të pranojë që mesazhet ia ka dërguar ai nënës dhe jo gjyshi”, shprehet B.
Prej tetë muajsh bashkëshortja e tij është larguar në shtëpinë e prindërve, ndërsa ka nisur edhe procesi i divorcit. Përkohësisht, gjykata dy djemtë i ka lënë tek i ati, ndërsa vajzën te nëna.
45-vjeçari kërkon që pas divorcit, tre fëmijët të jetojnë me të, pasi nëna nuk është e aftë mendërisht.





