TIRANE, 6 janar 2014- Prej disa ditësh në kryqëzimet kryesore të Tiranës, janë vendosur efektivë policie të veshur civilë, pa shenja dalluese, të cilët raportojnë çdo rast të shkeljes së semaforit nga drejtuesit e mjeteve. Lajmi është bërë i ditur dje nga Ervin Dervishi, komandant i trafikut rrugor të Tiranës.Vendosja e grupeve civile që mbikëqyrin semaforët është pjesë e një plani masash të Policisë Rrugore për vitin 2014. “Bëhet fjalë për grupe kontrolli të pauniformuara apo të spostuara nga kryqëzimi, ku shërbimet e Policisë Rrugore verifikojnë në distancë dhe raportojnë te kolegët e tyre që janë me shërbim në rrugë”, theksoi Ervin Dervishi gjatë një deklarate të dhënë dje për “Vizion Plus”. Nga Policia mësohet se pas raportimit nga policët civilë, grupet e efektivëve me uniformë që janë me shërbim në rrugë ndalojnë këta kundërvajtës dhe marrin masat për pezullimin e lejes së drejtimit për shkeljen e semaforit të kuq. Vetëm dje, brenda një ore, në kryqëzimin e Laprakës janë pezulluar 20 patenta.





