Policia e Durrësit njofton se një punonjës karburanti ka denoncuar faktin se është paguar nga një klient me 100 euro false.

Në njoftimin e saj për shtyp, policia sqaron se shtetasi B.K. 60 vjeç është paraqitur pranë komisariatit së bashku me kartëmonedhën false.

Ai ka dëshmuar se një ditë më parë, një shtetas ka furnizuar me karburant mjetin duke paguar me 100 euro, që dyshohen të falsifikuar.

Punonjësi i karburantit nuk e ka kuptuar menjëherë se kartëmonedha në valutë të huaj ishte false.

Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e personit që pagoi karburantin me euro false.

Edhe më parë, në Durrës është denoncuar nga punonjës karburanti apo pronarë marketi fakti se klientë kanë ardhur dhe kanë marrë mallin me kartëmonedha të falsifikuara.

Në të gjitha rastet e denoncuara, bëhej fjalë për prerje false të kartëmonedhës 100 euro.