Tatimet kanë sinjalizuar se do të forcojnë kontrollet për përdorimin e kuponit tatimor. Ato kanë ftuar konsumatorët që të kërkojnë kudo, ku bëjnë blerje, kuponin tatimor, si dhe të denoncojnë çdo rast kur kuponi nuk jepet.
“Ne ju inkurajojme të denonconi çdo rast. Bëhuni pjesë e luftës kundër informalitetit. Mund të denonconi edhe duke na dërguar një mesazh në faqe me foto ose video dhe ne do të ndjekim çdo rast”, thonë zyrtarisht Tatimet, duke kujtuar që paratë që mblidhen nga taksat do të shkojnë për më shumë shërbime publike, shkolla, spitale, infrastrukturë, rend.
Më herët, Tatimet kishin njoftuar se me fillimin e sezonit turistik kishin hartuar strategjinë dhe planin e masave për sezonin turistik 2017. Në këtë sezon qasja ndaj biznesit do jetë e mbështetur në modelin e analizës së riskut, konkretisht vizita fiskale, kontrolle nga zyra dhe ndërhyrje në territor aty ku do të konstatohen parregullsi.
Vitin e fundit, strategjia e tatimeve në luftën kundër informalitetit ka ndryshuar dukshëm. Nga agresiviteti i gjysmës së dytë të vitit 2015 dhe pjesës së parë të 2016-s, që krijojë një klimë negative dhe frenuese te bizneset, Tatimet kaluan në një përqasje më bashkëpunuese, duke përdorur edhe metodën e analizës së riskut, duke krijuar një klimë më pozitive me sipërmarrësit.
Kjo klimë, së bashku me përdorimin e metodës së analizës së riskut, ka dhënë dhe rezultate më pozitive në buxhet. Në pesë muajt e parë të këtij viti, të ardhurat tatimore janë rritur me gati 9% në raport me të njëjtën periudhë të 2016-s, për të arritur në 163 miliardë lekë, duke shënuar një nga performancat më mira të viteve të fundit. /Monitor/