Nëse je femër dhe viziton Indinë, bën mirë të mos veshësh minifund. Kjo është këshilla e ministrit të Turizmit në Indi, Mahesh Sharma, i cili u ka kërkuar turistëve të bëjnë kujdes për të garantuar sigurinë e tyre.
Sipas ministrit, femrat që vizitojnë Indinë duhet të shmangin veshjet e hapura dhe të shkurtra dhe të mos dalin natën vetëm në rrugë. Madje ai rekomandon që nëse një femër merr taksi, para se të bëjë këtë, duhet të fotografojë targën e mjetit.
Sharma i justifikon këshillat e tij me faktin se kultura indiane ndryshon shumë nga ajo perëndimore. Ai tha se të gjithë turistët do të pajisen me një udhëzim mbi gjërat që duhet dhe nuk duhet të bëjnë gjatë vizitës turistike, duke e cilësuar këtë paketë këshillash si një masë parandaluese, pasi vitet e fundit në vend ka nisur një valë përdhunimesh dhe vrasjesh.





