Autoriteti i Aviacionit Civil njoftoi të enjten pasagjerët që do të udhëtojnë ditën e sotme (11 janar 2019) nga Italia drejt Shqipërisë dhe anasjellas, se unionet e kontrollorëve të trafikut ajror në Itali do të mbajnë një grevë 4 orëshe, nga ora 13:00 deri në 17:00.
Si pasojë e kësaj greve pritet të ketë vonesa dhe anulime fluturimesh në disa aeroporte të Italisë.
Autoriteti i Aviacionit Civil iu bën apel pasagjerëve që kanë rezervuar për të udhëtuar ditën e sotme, që të kontaktojnë me agjencitë ku kanë marrë biletën dhe kompaninë ajrore, për t'u njohur me statusin e fluturimit në mënyrë që të evitojnë pritjet e gjata.





