VLORE , 15 nëntor 2013 – I ka shpëtuar mrekullisht vdekjes një 23-vjeçare, ndërsa është qëlluar dhjetëra herë me thikë nga bashkëshorti i saj pas sherrit për kujdestarinë e fëmijës. Burime zyrtare nga Policia e Vlorës bëjnë me dije se është arrestuar në kushtet e flagrancës 22-vjeçari Ermal Zenelaj, pasi ka tentuar të vrasë gruan e tij me iniciale O.H. Mësohet se ngjarja e rëndë kandodhur rreth orës 13:30 në stacionin e furgonëve të Vlorës drejt fshatrave. 23- vjeçarja O.H. ka qenë duke hipur në furgon për të shkuar në shtëpinë e saj në fshat, kur pas saj është afruar bashkëshorti Ermali. Çifti ka nisur të debatojë, pasi ishin në proces divorci dhe brenda pak minutash sherri ka degjeneruar në dhunë. 22-vjeçari ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur papushim gruan e re, në të gjithë trupin. Sipas dëshmitarëve, pasi e ka qëlluar disa herë në pjesën e barkut, agresori e ka qëlluar edhe në pjesën e qafës duke tentuar ta therë, por pikërisht në këtë moment ka ndërhyrë një kasap që punonte aty pranë. Ai ka arritur të neutralizojë 22-vjeçarin duke i hequr edhe thikën që mbante në dorë. Brenda disa minutave ka mbërritur edhe policia, e cila ka arrestuar në flagrancë agresorin. Persona të tjerë që gjendeshin pranë vajzës, e kanë marrë dhe e kanë transportuar për në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për katër orë me radhë. Sipas bluzave të bardha, goditjet e thikës i kanë shkaktuar dëmtim të shpretkës dhe ka qenë e nevojshme heqja e saj. Ndërsa 23-vjeçarja ka dëmtime të shumta edhe në mëlçi. Policia bën të ditur se çifti ishte në proces divorci dhe kujdestaria e fëmijës është bërë shkak për ngjarjen.
/Gazeta Shqiptare/





