Blendi Fevziu
Edi Rama ka kërkuar falje sot në Shkodër! Nuk është falja e parë e Kryeministrit, por si çdo falje padyshim që ka vlerë. Ajo që ngre pikëpyetje është se kujt i kërkoi falje Edi Rama dhe përse?
Zyrtarisht Kryeministri kërkoi falje për dekorimin e disa ish veteranëve të luftës, që vitet e admiruara të rinisë si luftëtarë, i tretën në disa dekada si persekutorë të sistemit më të egër komunist. Kërkoi falje për ish oficerë të policisë sekrete dhe ish hetues e prokurorë që arrestuan, torturuan dhe dënuan me prova të rreme dhe procese të montuara dhjetra shqiptarë. Ata që nuk e deshën komunizmin dhe ata që u bënë target për pakënqësinë e shprehur apo thjeshtë për të krijuar terror.
Kryeministri i kërkoi falje Profesor Sami Repishtit që i dekoroi hetuesin që e kishte torturuar në burg; i kërkoi falje shpirtit të At Zef Pllumit dhe familjarëve të tij sërish për xhelatin që e dergji për 26 vjet në burg. Padyshim që bëri mirë, por edhe kjo nuk do të thotë ndonjë gjë. Ka shumë shqiptarë të tjerë që janë trishtuar me atë dekorim ose të ngjashmit e tij. Shqiptarë anonimë, që ju morën jetën dhe rininë; që ju shkatërruan familjet, ju vranë të afërmit, ju morën të ardhmen, pa pasur asnjë shkak. Falja për ta nuk mjafton me një fjalë. Nuk mjafton as të thuash që ai persektor ose të ngjashmit e tij marrin sot edhe pension për merita të veçanta. Dekorimi mund të jetë edhe një gabim dhe gabimet korrigjohen. Problemi nuk është gabimi, por filozofia që kjo mazhorancë po përcjell. Dualizmi me të shkuarën dhe mos dënimi i prerë i saj. Lënia e gjërave në rrjedhë të lirë, duke besuar se pak vota nostalgjikësh vlejnë më shumë se sa e drejta dhe raporti me të. Rastet nuk janë pak.
A nuk e shprehin Portretet e Enver Hoxhës në çdo aktivitet të së majtës këtë gjë? A i kujtoni deputetët e Ministrat e PS në një sallë që bërtiste Enver Hoxha në Përmet? A e mbani mend Ministrin Naço që përulej para portretit të diktatorit në Berat? Po fotot e tij në festën e 17 Nëntorit që detyruan Ambasadorin Arvizu të ndërhyjë në emër të SHBA? Po paradën në Gjirokastër, kur deputetë e ministra të PS e LSI qëndronin si tranguj para veteranëve me shall të kuq e fotot e Hoxhës e Stalinit?! Nuk po përmend pastaj ritualin e përvitshëm në Pezë. Të gjitha rastet kaluan pa ndonjë reagim të veçantë, pak nën zë dhe pak me justifikime që nuk ka qenë një organizim zyrtar. Në fakt ky qëndrim ambig, është edhe dënimi i dytë i gjithë atyre që kanë vuajtur dhe nëpërkëmbja e një të drejte të njohur nga të gjithë në Shqipëri. E kam thënë edhe një herë, nuk mund të jesh edhe me klerikët e pushkatuar, fotot e të cilëve i var në Bulevard kur vjen Papa dhe edhe me ata që i masakruan dhe dhunuan ata! Asnjë vend në botë nuk e bën këtë!
Dhe e fundit, Rama kërkoi falje për dekorimet, por ai nuk tha diçka. Nuk tha se përse Qeveria e tij nuk organizoi asnjë ceremoni për 25 vjetorin e ndryshimit të sistemit në Shqipëri, kur të gjithë e njohin si një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë 100 vjeçare të shtetit shqiptar. Të majtë e të djathtë në Lindje u bënë protagonistë të këtyre festimeve. Kujtoni cfarë bëri Berlini për 25 vjetorin e rrëzimit të Murit; cfarë bëri Rumania për 25 vjetorin e vrasjes së Causheskut, cfarë bëri Polonia për 25 vjetorin e ardhjes në pushtet të Solidarnostit dhe cfarë bëmë ne! Thjeshtë asgjë. Mos kishin qenë dy – tre ceremoni të Presidentit vendi do ishte për turp. Në fakt, mos veprimi, nuk ishte gjë tjetër, vecse një kompleks i vjetër që shoqëron PS. Por një kompeks që s’e ka pasur Nano, por e ka Rama që në atë kohë, ka qenë së paku me sa mbaj unë, në anën e drejtë të zhvillimeve.
Më shumë se sa për dekorimet, Kryeministri duhej të kishte kërkuar falje për këtë! Që i ka lënë shqiptarët pa një qëndrim të vërtetë dhe të drejtë ndaj të shkuarës dhe që forca e tij është ende e kompleksuar prej saj!