NGA NOVRUZ ZEJNATI*

4 gusht 2015 –  U evokuan besa, tradita, mikpritja dhe krenaria e famshme shqiptare. Zbehja graduale e prestigjit të parlamentit shqiptar, niveli shpeshherë i ulët i debateve, mungesa e edukatës minimale qytetare që vërehet në çdo seancë parlamentare, amalgamë pikëpamjesh nga disa parlamentarë të tipit Berisha, që koha i ka nxjerrë jashtë kohe. Sipas akuzave që u bën Saliu dhe që u bëjnë njeri-tjetrit parlamentarët shqiptarë, del se: 65 për qind e deputetëve janë hajdutë, 11 për qind janë vrasës, 10 për qind janë trafikantë, 4 për qind janë përdorues droge, 3 për qind janë idiotë, 3 për qind janë spiunë të papërcaktuar se të kujt, 2 për qind janë grekë, 1 për qind janë serbë dhe 1 për qind janë maqedonas. Të gjithë këta bëjnë 100 për qind të parlamentit shqiptar. “Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë”. Nëse nuk u besojmë këtyre shifrave, atëherë del se parlamentarët shqiptarë janë shpifës dhe se parlamenti shqiptar drejtohet nga shpifës. Filozofia e tyre është e llojit: “shpif sa më shumë, se në fund diçka do të ngelet”. Janë parlamentarët ata që vazhdojnë ta deformojnë të vërtetën dhe të mashtrojnë.

E enjtja e “zezë”. Na rreh zemra kur shikojmë se si deputetët tanë u bien tavolinave që më kujton nxënësit e vështirë! Na dhëmb koka kur shohim ato skena tronditëse në parlament. Na hipën tensioni kur dëgjojmë një fjalor që vetëm ajo seli s’duhet t’i prodhojë! Përfaqësitë diplomatike shqetësohen e largohen nga Parlamenti. Neve s’na bën përshtypje! Shpesh pyes veten? Vërtet bijtë tanë janë këta? Ne i kemi rritur, ushqyer, edukuar? Ne i kemi zgjedhur si bijtë më të mirë? Ka shumë gjasa që tani të enjten e “zezë” ta shohim edhe jashtë Parlamentit.

Në këta 25 vjet kanë humbur, janë vrarë, vetëvrarë, aksidentuar, burgosur, gjakosur, hasmosur e sikterisur më shumë shqiptarë se në njëqind e ca vitet me shtet të mëvetshëm, duke futur në këtë hesap edhe luftërat. Askush nuk kujtohet për viktimat me pasaportë shqiptare. Aq jemi përshtatur me kronikën e zezë, sa duket herë si kronikë pa ngjyrë, ndonjëherë blu, rozë, me personazhe maniakët, perversët, pedofilët, përdhunuesit, apo kujdestarët që rrahin jetimët e gjorë… Jemi ambientuar me krimin aq sa na bën përshtypje vetëm kur e pëson polici, turistët e huaj. Frika se mos na braktisin turistët, ankthi i dëmtimit të imazhit të vendit peshojnë e rëndojnë më tepër se shqetësimi dhe preokupimi për të gjetur pse-të e vërteta të rritjes së kriminalitetit, sidomos tek të rinjtë, tek ata që kanë lindur pas viteve ’90. Mos vallë krimi i shqiptarëve mbi shqiptarët është më pak mbresëlënës e aspak domethënës, se sa ai që kryhet mbi të huajt që na vijnë si miq apo si turistë? Krimin e nxit drejtësia e cunguar, e munguar, e korruptuar. Krimi nuk lind në atë minutë që kryhet. Nuk e ka fajin arma, as plumbi, as thika, as krahina ku ka lindur vrasësi, as gjeni ynë “specifik” dhe as temperamenti kolerik. Krimi ka burim dhe terren social. Tek ne, përveç padrejtësisë që jep drejtësia, ka edhe pabarazi të theksuar sociale. Ka klimë kriminaliteti në rritje, ka pandëshkueshmëri të ligjëruar të levantëve në partira, pushtet, ka varfëri skajore, ka padije që mburret si e tillë, ka injorancë të veshur me pushtet, ka mungesë shprese, ka kontraste aq të thella materiale e morale sa e bëjnë të vështirë dhe të pamundur kohezionin, paqen, mirëbesimin, harmoninë sociale. Më e rëndësishme nuk ka masa parandaluese për të mos mbirë barërat e këqija.

Si në shoqëritë primitive u jepet më shumë rëndësi dukjes, ngjyrave të rrobave, modës dhe snobizmit. Të rinjtë e zonave rurale shesin tokën për një veturë (në vend që të blejnë një traktor), të cilën e demonstrojnë para kasolles me krenari, paçka se prindërit flenë me kërcu nën kokë e nuk kanë bukë të hanë… Kjo është një mendësi orientale e trashëguar, vanitoze, e cila na bën të shohim të ardhmen.

Të rinjtë e sotëm nuk e duan punën, shkollën, harxhojnë shumë kohë për jetën e tyre personale. Historia e Shqipërisë dhe çdo shqiptari është histori e mbijetesës. Shqiptarët u kanë rezistuar rrebesheve asgjësuese dhe të tmerrshme të historisë. Në kulturën orale, në folklor, në kronika dhe në letërsinë e kultivuar shqipe, tipari i mbijetesës popullit tonë është lartësuar me krenari. Shqiptarët janë popull fisnik, me një dashuri të pakufishme për lirinë, pavarësinë, rrethanave shtypëse, ose paradokseve të mëdha. Por në qytetërimin shqiptar mungon dhe ndihet një boshllëk pikërisht për një lloj tjetër heroizmi, që në vështrim të parë duket më pak i bujshëm, jo aq legjendar e ngulitës në kujtesë. Është fjala për heroizmin e punës. Në të vërtetë, në zanafillën e çdo qytetërimi është puna. Adam Smith ka thënë se: “Puna është pasurimi i kombeve”. Puna, zotërinj pushtetarë nuk është bamirësi, është dinjitet, jetesë, si e tillë duhet t’i sigurohet çdo njeriu, por veçanërisht të rinjve. Në vend që të merremi t’u sigurojmë kushte për jetesë normale njerëzve, kemi 25 vjet në demokraci i thënçin dhe nuk kemi përcaktuar akoma kushtet minimale të jetesës. Kemi polarizim të shoqërisë, pakica po pasurohet në mënyrë galopante. Shumica jeton në varfëri të tejskajshme. Dy gjëra e prishin njeriun: paraja e fituar padrejtësisht dhe fukarallëku. Levantinët në pushtet rrisin rrogat e pensionet e tyre. Për popullin që marrin pensione e asistencë qesharake nuk mendon njeri.

Të bësh një jetë në kushtet minimale me çmimet e tregut që janë shumë të larta, ka ardhur koha që pensionet dhe asistencë më pak se 50.000 lekë të reja të mos ketë, kjo të jetë dyshemeja. Po, ku do të gjenden paratë? Ato janë nga shkurtimi i rrogave të larta të pushtetarëve, parlamentarëve, taksat që mblidhen.

Nëse prindërit janë vërtet të papunë, nuk ka sesi t’u krijojnë fëmijëve të tyre mirëqenie, begati dhe luks, prandaj adoleshentët e pashkolluar, të paduruar e të pashpresë do bëhen, në mos depresivë, agresivë me ta. Për ta nuk ka tundim më të keq dhe as justifikim se kjo pyetje: Përse të tjerët jetojnë shumë mirë, bredhin me makina luksoze, bëjnë qejf dhe pjesa më e madhe e shoqërisë jetojnë kaq keq? Ç’faj kemi ne që kemi lindur në humbellë, te prindër të varfër? Te kjo pyetje pa përgjigje fshihen e lindin dramat dhe tragjeditë familjare, të padëgjuara më parë. Nga rruga, tani krimi ka hyrë brenda familjes.

E drejta dhe e vërteta ka qenë obligimi im në jetë. E vërteta i bashkon njerëzit. I kam dashur me sinqeritet shokët, por kam dashur më shumë të vërtetën. Njerëzit e mëdhenj në të parë e të vegjël në shpirt, nuk i kam dashur. Në vendin tonë, për fat të keq, edhe pse duhet të jenë në raport të drejtë me njëra-tjetrën, i kemi në një proporcion të zhdrejtë. Ndërsa krimin e kemi të pranishëm, në të sotmen, ndëshkimin e kemi të jashtëligjshëm. Në fakt ky është problemi më i ndjeshëm që kemi aktualisht dhe, pa zgjidhur këtë, nuk mund të zgjidhet asnjë tjetër. Këtu është a-ja e perspektivave të tjera, ose mbytje përfundimtare e tyre. Është shumë interesant, që jemi të parët në të këqijat dhe të fundit në të mirat! Dihet se kemi korrupsion. Drejtësia përbën lokomotivën e këtij korrupsioni. Vetëm në drejtësi, s’ka drejtësi. Më thoni emrin e një politikani, kryeministri, ministri, deputeti, apo biznesmeni, bankieri që është dënuar këta 25 vjet? Edhe pse bëhen akuza të vazhdueshme midis forcave politike me emra e mbiemra për korrupsion, apo trafiqe të ndryshme, asnjë s’është gjykuar, e jo dënuar, duke i gjetur secilit nga një “justifikim”. Krimi po na vret e tmerron çdo ditë. Jeta e njeriut nuk ka siguri. Jetojmë me frikë e pyesim? Ç’ka ndodhur sot? Kush u vra? Kujt i vunë tritolin? Ku vodhën? Le që fukarallëku na ka mbytur, por s’kemi dhe jetën të sigurt.

Kemi qenë vendi i parë në Evropë për mbjelljen e kultivimin e bimëve narkotike. Lufta kundër kësaj bëhet vetëm nga policia, policët ngelën me drapër në dorë, kjo nuk është detyra e saj. Nuk ka një opinion mbytës ndalues nga populli. Unë jam i mendimit sa s’është vonë. Lënda narkotike kanabis të ligjërohet nga parlamenti e të “lihet e lirë”, duke u përdorur nga farmacitë, sipas ligjeve të miratuara. Kemi mbi 1.000.000 të papunë! Dihet që në 3 vetë që kanë mbaruar shkollën e lartë, vetëm një punon. Në cilën vend të Evropës uji është me orar, një orë në 24 orë, edhe pse shpesh mbytemi dhe për burimet hidrike jemi të dytët në Evropë, pas Norvegjisë? Tirana dhe disa qytete të tjera të Shqipërisë si Elbasani, Durrësi, Saranda, janë qytetet më të ndotura. Sipas BE-së ndotja është 30 për qind më e madhe se norma e lejuar. Pensionet më të ulëta se kudo! Çmimet më të larta se kudo. Aksidentet dy herë më të larta se në Evropë.

Fenomeni i gjakmarrjes? Jemi të parët e të fundit, mbasi është vetëm fenomen shqiptar. Në 25 vjet janë vrarë për gjakmarrje 5000 vetë. Shifër tronditëse, jo vetëm për ne, por dhe për ata që na dëgjojnë! Mbi 1600 familje janë të ngujuar. Numri i fëmijëve që nuk frekuentojnë shkollën se i pret vdekja, shkon në 900. Mbi 5000 vetë janë të prekur nga ky fenomen i rrallë i botës. Nuk kam dëgjuar qoftë dhe një herë që në 25 vjet, nga asnjë qeveri që të interesohet për fatet e mijërave shtetasve të saj të humbur nëpër botë. S’ka të sosur numri i bashkëkombësve fatkeq që i shohim çdo javë në emisionin “Njerëz të humbur”. E kush po pyet për ta, veç familjarëve?!

Numri zyrtar i raportuar për lypësit në rrugë shkon në 2527, por në fakt janë më tepër. Në cilin shtet ka ndodhur, që në demokraci të vriten më tepër se në diktaturë? Në 45 vjet diktaturë flitet për 4 500 të vrarë. Në 25 vjet demokraci (janë vrarë jo nga shteti, por nga armët që i kishte shteti) 7 000, shifër shumë e madhe për një vend kaq të vogël. Pse të kemi një gjendje kaq të dëshpëruar? Pse jemi kaq të varfër ne shqiptarët? Unë di që vendi im është mjaft i begatë. Me një klimë për t’u admiruar! Edhe pse me një sipërfaqe pak më tepër se 28.000 km katror; rrallë gjen të ndërthurura: malet, kodrat, fushat, luginat, lumenjtë, liqenet, detet! Me pasuri të madha mbi e nëntokësore, që s’i gjen diku tjetër! Pse historikisht kaq të varfër atëherë? Mos kemi gabuar që në krye (me ose pa dëshirën tonë), kemi vënë njerëz që nuk na kanë drejtuar, por na kanë sunduar?

Inkriminimi është vetë sistemi politik i tashmë, pasi politika vetë është ngritur dhe jeton me paratë e krimit; Deputeti(tët) apo zyrtarët e inkriminuar nuk janë thjesht gjethja e kalbur e bimës që ia heq dhe shpëton. Ata janë plehu, janë uji, janë oksigjeni që e ushqejnë bimën dhe pa to ajo bimë do të thahej. U sulën ata që ishin të inkriminuar dhe duhej të vishnin kostumin e politikanit për ti shpëtuar ndjekjes së ligjit. Kjo politikë prodhon dhe ligjet, prodhon edhe drejtësinë, edhe mekanizma të tjerë të shtetit të cilët për pasojë janë po kaq të korruptuar e të inkriminuar. Ndërsa çirremi duke kërkuar drejtësi, ne nuk mund ta shikojmë atë si një fatkeqësi natyrore që na ra nga qielli, apo produkt të tokës së nëmur, por si produktin pikërisht të kësaj politike. Dhe kjo politikë nuk mund të prodhojë kurrë as gjyqësor, as prokurori, as polici, e asgjë tjetër të pastër e të drejtë, derisa është vetë më keq e përlyer. Këtu duhet shembur sistemi, duhet shkulur pema dhe këtë nuk e bëjnë ata që janë në pemë, pavarësisht në cilën degë. Këtë duhet ta bëjmë ne. Nëse ne do të vazhdojmë të shesim votën apo të mbledhim votat e fisit për një vend pune, roje nate, në spital, etj. Atëherë mos kërkoni demokraci në praktikë, por kërkojeni me fjalë boshe.

* Doktor i shkencave ushtarake. Dërguar posaçërisht për portalin “durreslajm.com”.

/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/