Fitues për U-16 “Goga Basket” dhe për U-14 Saranda
Evidentohen vlerat organizative të boshnjakut Mirza Ostrakoviç

Nga BUJAR QESJA
Të dielën e 20 shkurtit 2022, iu dha lamtumira njërit prej basketbollistëve më cilësore dhe më popullorë në Durrës Niko Hercek. Dhimbja është e madhe. Hercek ishte shembulli i qytetarit plot kulturë e civilizim dhe që u përpoq deri në fund për interesat morale dhe sportive të Durrësit. Ai mbetet nga protogonistët e sportit durrsak, duke qenë tregues i arritjeve.

Për të kujtuar këtë figurë të madhe, plot sharm dhe shkëlqim, Akademia e njohur “Goga Basket” organizoi Kupën “Niko Hercek”. Organizatorët kishtin ftuar edhe tri ekipe: Saranda, Elbasani dhe “Galaktikët” që vinte nga Tirana. Së bashku me “Goga Basket” , përbënin katërshen për të fituar trofeun në moshat U-14 dhe U-16. Konkurimi u bë vetëm për djem.

Nga mënyra se si u organizua kjo kupë, nxiti interesimin tek basketbollistët e vegjël, që ta mbushnin plotësisht pallatin e sportit me emrin e mitikut “Dhimitraq Goga”. Djali i Iglit, Enea Goga që është administratori i këtij pallati, flet me pasion për rezultatet mjaft të mira që dha kjo kupë. Jo vetëm që u kujtua dhe kurrë nuk do të harrohet Niko Hercek, por u testuan njëkohësisht edhe gjendja e ekipeve të moshave në basketboll për këto katër ekipe.
Në dy salla komode dhe nga më modernet, ekipet me sistem rrethi u takuan njëri me tjetrin. Befasoi përgatitja e ekipit të Sarandës për moshën 14 vjeçare. Ndonëse në grup kishte ekipe të tilla si “Goga Basket” me trajnerë Kleidi Kërtusha dhe Xhoi Arapi, Elbasanin dhe “Galaktikët”, sarandjotët e vegjël treguan se kishin punuar dhe korrën me meritë frytet e saj. Ata merituan për herë të parë trofeun “Niko Hercek”. Ky trofe iu dorëzua nga Terezina Bardhi, që është mbesa e Niko Hercekut. Është ajo që u përkujdes deri në minutat e fundit për këtë gjeni të basketbollit dhe është shumë e lumtur që arriti që Niko Hercek të kujtohet kësisoj.

-I lumtë Akademisë “Goga Basket”, shprehet Terezina Bardhi që e kujtoi Niko Hercekun, ku shumë në Durrës bënë indiferentin, si në lamtumirën e tij ashtu edhe në këtë rast. Do të kisha dëshirë që kjo kupë të jetë e përvitshme, pasi kështu nuk do ti harrojmë, por do ti kuktojmë gjithnjë emra të mëdhenj të sportit siç është Niko Hercek.
Me interes të madh u ndoqën edhe ndeshjet për U-16. Dhe këtu që në fillim vendosi diktatin e tij, ekipi i “Goga Basket” i drejtuar nga 35 vjeçari nga Bosnja Hercegovina Mirza Okstrakoviç. Ky Okstrakoviç është edhe drejtor i Akademisë “Goga Basket” dhe me siguri përvoja e tij e pasur në drejtim të kombëtares së të rinjve të Bosnje Hercegovinës, do ti vlej edhe durrsakëve të “Goga Basket”. Shenjat u dhanë që në kupën “Niko Hercek”, ku “Goga Basket” i 16-të vjeçarëve, i la pas rivalet e saj dhe fitoi kupën “Niko Hercek”. Prekëse ishte momenti i dhënies së trofeut nga basketbollisti veteran, nga miqtë e afërt të Hercekut Xhoxhi Nushi.

Krahas vlerës së rezultateve, ajo që tërheq vëmëndjen është kujdesi i organizatorëve, të kujtojnë figura të ndritura të sportit durrsak siç ishte me këtë rast i famshmi Nik Hercek. Vijimësia e përkujtimoreve të tilla nga Akademia e njohur “Goga Basket”, do të jetë një kujtesë e duhur dhe e vlefshme për brezat e rinj, për tu njohur me traditat më të mira të basketbollit të Durrës.

Urime dhe suksese organizatorëve! Gjithnjë shpresohet tek puna pasionante e Akademisë së “Goga Basket”, një shans më shumë për ecurinë dhe ripërtëritjen e traditave të basketbollit durrsak.

Durrës: 27 shkurt 2022