80 foto bardh e zi, të ekspozuara në muret e galerisë së artit pamor “Nikolet Vasia”, risollën edhe njeherë në memorien e artdashësve durrsakë momente nga aktivitetet kulturore të zhvilluara në ish-Pallatin “Rinia” të Durrësit, gjatë viteve 1970 – 1990.
Fotot i përkasin arkivës personale të ish-shefit të veprimtarive të kulturës masive Flamur Jakupi, i cili arriti të shpëtonte rreth 100 foto të asaj periudhe, ndërkohë që arkivi me mijëra foto të aktiviteteve të këtij institucioni u zhduk gjatë viteve të tranzicionit.
Mes fotove që risjellin në kohën tonë nostalgjinë për eventet e atyre viteve si “Anketa Muzikore”, artdashësit durrsakë, të vjetër dhe të rinj, mund të njohin më nga afër vetëm një pjesë të vogël nga jeta e pasur kulturore e dy dekadave aktvitete të ish-Pallatit “Rinia”. Ish-drejtori Naim Nova, gjatë fjalës së tij kujtoi një moment të veçantë nga këto evente.
“Aq shumë njerëz vinin në Pallatin “Rinia”, (këtë detaj dua t’ju kujtoj të rinjve se të vjetrit e dinë) sa thyheshin xhamat”,– tha Nova.
Gazetari i njohur dhe ish-drejtori i Pallatit “Rinia”, Bujar Qesja, falenderoi Flamur Jakupin dhe administratorin e shtëpisë botuese “Josef” Aurel Kaçulini, për këtë ekspozitë me vlera të rralla, që megjithëse “vjen në teknikën bardh e zi, është plot me ngjyra shpirti”.
Për përgjegjëse e rrjetit muzeal në Durrës, Alketa Tragaj, ekspozimi i këtyre fotove bardh e zi solli edhe njëherë mes nesh shumë nga figurat e njohura të artit dhe kulturës në Durrës, një pjesë e të cilëve tashmë janë ndarë nga jeta, por vazhdojnë kujtohen me respekt të veçantë nga brezat e rinj.
M.B.