Përkushtim: Këto shënime modeste për klerikun e ditur durrsak, Anton Xanoni, ia kushtoj gjeneratës sime, që i studiuan me pasion shkencat filologjike, por patën mundësi të kufizuara… (F. Gj . Dervishi ).
Anton Xanoni është figurë me ndihmesa të ndjeshme në kulturën shqiptare. Honorifikisht, është jo vetëm nderi i bibliografisë “Pena në Durrës”(2008), por edhe i fondit libror me kohëzgjatje për më se një shekull. Personaliteti i Xanonit radhitet denjësisht në plejadën e periudhës së Rilindasve e të “Mëvehtësisë” dhe ndër kontribuesit e parë të pedagogjisë dhe letrave shqipe. I lënë diku në sarkofagun e harresës prej gjysmë shekulli, ai rivjen tani edhe me këto shënime modeste, përpara lexuesve të dy gjeneratave…
U lind në qytetin e Durrësit, në 1862. Ai nuk ishte thjesht klerik, por mësues dhe shkrimtar. Përveç ndihmesës në hartimin e teksteve për shkollat e para të shqipes, Xanoni ka lënë edhe krijimtari letrare të mirëfilltë. Korpusi i veprës së tij, të botuar, arrin në 15 tituj. E ndër to, dy romanza: “Gjenovefa” e “Julia” dhe dy drama: “Llagoret e mullijve” dhe “Skënderbeu”. Kjo e fundit u botua në Shkodër, më 1917, por për fat të keq, autori u nda nga jeta në moshën 53- vjeçare (më 1915), kështu që nuk e gëzoi botimin e dramës së tij, e cila daton dy vjet pas vdekjes.
“Gramatika Shqyp” e Anton Xanonit është një libër 103-vjeçar dhe njëri nga dokumentet më të rëndësishëm të historisë së gjuhësisë shqiptare. Ky libër është botuar mbi një shekull më parë, më 1909, në Shkodër. Gramatika i përmbahet alfabetit të ri dhe është ndër gramatikat e para të gjuhës shqipe, pas gramatikës së Sami Frashërit. Ishte shtypur posaçërisht për seminarin dhe mësonjëtoren e Shën Saverit, në shtypshkronjën “Zoja e Papërlyeme”, Shkodër. Libri daton fill pas Kongresit të Manastirit (Kongresi i Alfabetit Shqip), që u mbajt më 1908. Gramatika e Xanonit është shkruar në dialektin gegërisht. Teksti fillon me Fonetikën, duke trajtuar: zanoret, shqiptimin, rrokjet, theksat, fjalët e bashkëngjitura e tjerë.
Autori, në vijim të këtij teksti, ndalet në mënyrë të hollësishme në Morfologji. Te pjesët e gramatikës në ligjëratë trajton: emrin, rasat (autori e njeh dhe rasën vendore), gjininë, nyjen, mbiemrin, shkallët, numërorin, përemrat, foljen, ndajfoljen, lidhëzat dhe pjesëzat. Libri ka 172 faqe, plus përmbajtjen ose perkreicin.
Në fakt, përmbajtja, pra fjala Fundi, vjen pas kreut IX, (fq.166), me ndermiet hiedha, siç i quan gegërisht Xanoni, Pasthirmat (sipas S. Frashërit, K. Kristoforidhit, A.Xhuvanit.) Xanoni respekton parimin didaktik të një aparati mirëfilli pedagogjik, ndonëse thërret në ndihmë edhe latinizmat, të cilat i sqaron po aq shkoqur (Kuer pernjimend çohen prej fundit t’zemrës s’prekun prei gazmendit , dhimtes ,tutes , a çdo t’ dindunit tjetër, kan’ hije t’madhe fort….(ndermiet hiedhat..).
Libri tjetër i Xanonit, “Prisi në lamë të letratyrës” , është libër teorik e pedagogjik për shkencën e letërsisë, po për shkollën e seminarit e të Msojtores Sh. Françesk Saverit, në Shkodër. Në rreth 102 faqe, autori ngërthen në mënyrë konkrete parimet bazë të shkencës dhe letërsisë. Ai bën të kuptueshme këndvështrimin e artit të letrave, në rrafshin estetik dhe edukativ dhe ndalet më pas, imtësisht, te figuracioni letrar, stilistika, metrika etj.
Libri biografik, “Jeta e Shen Françesk Saverit” ose “Apostulli i Hindit”, nisë me lindjen e këtij Shenjti, më 7 prill 1506, në kështjellën e Saverit, rrëzë Pirenejve. Vijon me shkollimin e tij në Paris, për Filozofi, me udhëtimet prej misionari në Lindjen e Largme, Japoni e Malajzi. Ndërsa mbyllet me mrekullitë e tij, forcëvepruese edhe dy shekuj më pas si: Ngjallja e 34 të vdekurve, 11 prej të cilëve fëmijë e etj. etj… Mënyra shprehëse, që dëshmon për kulturë të teknikave letrare, fryma lirike, realizmi semplist dhe faktet e shumta, e shpien këtë biografi në kufijtë e një gjinie romaneske.
Anton Xanoni këtë vit shënon 150-vjetorin e lindjes (1862- 1915), ndërsa “Gramatika Shqyp” hyri në 103-vjetorin e botimit, pra e ka kapërcyer shekullin.
Krijimtaria e Anton Xanonit
1. Tremdhjet t’martet e Sh’na Ndout;
2. Dheshkroja e Shqypniis;
3. Shkurtoja e historiis( bleni i I);
4. “_”_”_”_”_”_”_”_”_ ( bleni iII);
5. Muzhiktari i verbtë;
6. Priisi n’ lamë t’letratyrës ;
7. Gramatika Shqyp;
8. Dotrina e madhe;
9. Gjenovefa (rromanz );
10. Julia (rromanz );
11. Llagoret e mullinjve (dramë);
12. Këndime për shkollë t’ para t’shqypes;
13. Unjilli i Jezu Krishtit mas Sh’ M;
14. Jeta e Sh’Françesk Saverit (biografi )
15. Skënderbeu (dramë )
Veprat e Xanonit
Biblioteka Publike e Durrësit ka në fondin e saj vetëm tri nga veprat e Xanonit:
1.-“Gramatika Shqyp”(tekst shkollor ), botim i vitit 1909;
2.-“Jeta e Sh’ Françesk Saverit” (biografi), botimi i vitit 1916;
3.-“Prisi në lamë të Letratyrës” (tekst pedagogjik ), botim i vitit 1920.