Një ish-lojtar i Barcelonës është duke u hetuar mbi pretendimet se ai e detyroi vëllain e tij binjak të luante për klubin e tij të ri në vend të vetes. Sipas raporteve nga “Marca” dhe media në Rumani, Dinamo e Bukureshtit po heton nëse mbrojtësi i tyre Edgar Ie e detyroi vëllain e tij binjak të luante pesë ndeshje në vend të tij pa e kuptuar klubi.

30-vjeçari nënshkroi për klubin në shkurt për të ndihmuar në betejën e tyre kundër rënies nga liga e parë rumune, por tani duket se lojtari që mbërriti në të vërtetë në Bukuresht ishte vëllai i tij binjak Edelino.

Mashtrimi i dukshëm u zbulua nga gazetari Daniel Sendre, i cili raportoi se Dinamo u bë i dyshimtë kur lojtari që pretendonte se ishte Edgar Ie mund të komunikonte vetëm në portugalisht, pavarësisht se luante në Spanjë, Francë, Turqi dhe Holandë. Edgar kaloi tre vjet me Barcelonën B përpara se të luante për klube duke përfshirë Vijareal B, Lilë, Trabzonspor dhe Fejnord. Ndërsa vëllai i tij Edelino e ka kaluar pothuajse të gjithë karrierën e tij duke luajtur në Portugali. Tani mbetet vetëm një gjë për t’u sqaruar, sqarim i cili do të vijë përmes testit të ADN-së. Dhe nëse kemi të bëjmë me një mashtrim, kjo do të ishte një nga gjërat më të bujshme në historinë e futbollit.