18 korrik 2015 – “Firmosja me skuadrën e Teutës ka qenë një hap shumë i rëndësishëm për mua”. Kështu shprehet mbrojtësi kosovar i Teutës, Viktor Kuke, i cili ndihet i lumtur për vendimin për të luajtur me "djemtë e detit". Mbrojtësi tregon përshtypjet e para si lojtar i Teutës, ndërsa pohon se ka pasur dhjetra oferta të tjera brenda dhe jashtë Kosovës. Kuke ka besim se Teuta do të bëjë diferencën përgjatë sezonit të ri.
Viktor, prej disa ditësh vijoni të stërviteni intesivisht më skuadrën e re. Si ndiheni?
Ndihem shumë, shumë mirë. Kam gjetur një ambient shumë të ngrohtë dhe të gjithë lojtarët më kanë përkrahur. Kemi punuar shumë fort përgjatë këtyre ditëve, por gjithsesi e përgjithshmja është shumë pozitive dhe shpresoj të vazhdoj.
Jeni përshatur në skuadër apo me jetën në Durrës?
Besoj se po. Me skuadrën po punojmë sikurse theksova dhe gjithçka po shkon shumë mirë. Ne fatmirësisht jemi në hapat e para të përgatitjeve dhe, edhe nëse do të ishte e vështirë për t'u përshatur, koha është në disozicion deri në fillim të sezonit. por personalisht besoj se jam përshatur shumë mirë.
Po me qytetin?
Qyteti i Durrësit është një ndër qytetet më të preferuara nga ne shqiptarët e Kosovës dhe nuk do kishte sens të kisha vërejtje. Në Durrës, ndoshta edhe për shkak të muajve të verës ku mbipopullohet nga shqiptarët e Kosovës, më duket vetja sikur jam në Kosovë.
Sa e njihni futbollin shqiptar dhe ku ndryshon nga ai në Kosovë?
Kam shumë njohuri mbi futbollin këtu, sidomos për Superligën, sepse e ndiqja edhe nga Kosova. Kam përshtypjet më të mira për skuadrat e Superligës dhe futbollin këtu. Futbolli këtu nga ai në Kosovë ka disa ndryshime. Këtu ka më tepër disiplinë, organizim, kërkes llogarie, luhet më fortë, lojtarët janë shumë të fizikshëm. Pra janë disa komponent, ku futet edhe ana tekniko-taktike, ku futbolli i Kosovës ndryshon me atë këtu. Pra futbolli këtu është pak më përpara në të gjitha drejtimet.
Ka ndonjë arsye, pse zgjodhët Teutën për të vazhduar karierën?
Sigurisht që ka arsye. Më pëlqen shumë si skuadër dhe kisha dëgjuar të flitej shumë për Teutën. E dyta, sikurse theksova ne shqiptarët e Kosovës Durrësin e kemi si shtëpinë tonë. Kam refuzuar shumë skuadra, brenda dhe jashtë Kosovës, madje edhe disa prej të Superligës, për të firmosur me Teutën dhe besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/