KUKËS- Fryma e Re Demokratike ka zyrtarizuar degën e saj në qytetin e Kukësit. Në fjalën e tij kryetari i kësaj partie Bamir Topi ka deklaruar se kryeministri Berisha ka humbur besueshmërinë, tek populli, të cilit duhet t’i kërkojë ndjesë për premtimet e pambajtura. 

Interesit të pranishmëve për platformën e FRD-së dhe planet e saj për zonën verilindore Topi iu përgjigj duke thënë se mungesa e investimeve në këtë zonë është përgjegjësi direkte e qeverisë, pasi investimet nuk janë të njëtrajtshme dhe zhvillimi ekonomik bëhet në frymë klienteliste.

“Duhet t’ju riktheheni me vrull dhe besim parimeve të demokracisë. Ashtu si Kukësi edhe e gjithë Shqipëria është në një ngërc zhvillimor. Mazhoranca dhe opozita akuzojnë njëra-tjetrën për këtë gjendje, por ne i akuzojmë të dyja palët”,- tha Topi.  

Duke u ndalur te zgjedhjet e ardhshme Topi tha se kjo qeveri nuk është e aftë të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. 

Ndërkohë nënkryetari i FRD-së, Aleksandër Biberaj evidentoi paradokse dhe ngërçe të sotme të lidhura me këtë zonë. “Kukësi nuk e meriton që të jetë i përfaqësuar dikur me Hasan Prishtinën e sot me Flamur Nokën. Kukësi është paradoksi i investimeve ku ka aeroport pa avion dhe treg që nuk funksionon” – tha Biberaj.