12 shtator 2015 – Kukësi fiton përballë Teutës. 3 gola brazilianë të Felipe Moreira, Kariokës dhe Floresit i dhanë një sukses verilindorëve, që i shkaktuan humbjen e parë Teutës, e cila me emrat e saj të rinj nuk arriti dot të përballojë brazilianët e nënkampionëve, që treguan se mund të marrin role protagonisti te kjo skuadër.

Kukësi kërkonte të hidhte pas humbjen me Skënderbeun dhe përballë Teutës, që vinte si kryesuese, verilindorët synonin të imponoheshin falë brazilianëve të tyre. Pikërisht njëri prej tyre, Felipe Moreira provoi që në minutën e 3-të por nuk e kishte shënjestrën e saktë. Gjithsesi braziliani e korigjoi atë në të 7-tën, kur kombinoi me bashkomasin e tij Karioka duke mposhtur Rizvanin për herë të parë në këtë sezon.

Brazilianët e Kukësit vazhduan sulmet dhe në vazhdim, me Kariokën që në të 17-ën dha një tjetër top për Floresin, që shpërdoroi. Mundësinë e parë Teuta e krijoi në të 24-ën, kur një goditje e lirë e Mihanit përfundoi në duart e portierit Koci. Në të 25-tën dhe 30-ën, Magani pati dy mundësi të tjera, por nuk arriti të konkretizojë. Një ndeshje relativisht e qetë, u tensionua në të 33-ën pas një përplasje mes Malotës dhe Hilës, me futbollistin e Kukësit që goditi dy herë me shkelm kundërshtarin teksa ky i fundit ishte i shtrirë. Hila reagoi dhe Jemini i ndëshkoi të dy me të kuq. Kukësi vazhdoi të ishte këmbengulës dhe në të 40-tën, pretendoi dhe një 11-metërsh përpara se Moreira të ndalej nga Rizvani në përpjekje për të shënuar golin e dytë.

Pjesa e dytë nisi ashtu si e para, me Kukësin që gjeti sërish rrjetën, këtë herë falë Kariokës.Teuta megjithatë nuk u dorëzua dhe në të 62-tën pati shansin për të hapur ndeshjen, me Lamcjan, por Koci bëri një tjetër pritje fantastike. Në të 82-tën, Karioka mund të kishte shënuar dhe golin e dytë personal por u ndal nga Rizvani që mbylli mirë zonën. Atë që nuk bëri Karioka e bëri, Flores, që në të 86-tën shënoi me një goditje nga distanca.

3-0 ishte një provë force nga ana e Kukësit, që përballë Teutës tregoi se mbetet ende skuadra nënkampione dhe një prej pretendenteve dhe këtë vit për titullin kampion.

/portali DurresLajm/