KUKESI -TEUTA    3-2
Golat: Izucuku 4′, Hysa 77′, Cikalleshi 83′ / Ahmataj 8′, Jakupi 89′
KUKESI: Halili, Smajli, Brahja, Malota, Hallaci, Progni, Allmuca, Izucuku (Musolli 88′), Hoxha, Cikalleshi, Boja (Hysa 73′).
Trajner: S.Starova
TEUTA: Rizvani, Idrizaj (Dosti 58′), T.Osmani, Ahmataj, Da Silva, Nika, Hodo (R.Hoxha 90′), Dosti, Batha, Xhafaj (Joel 69′), Samb. Trajner: I.Biturku
Gjyqtarë: L.Jemini, R.Cokaj, G.Qirici
Kartonë të verdhë: Malota 55′, Izucuku 88′ /  Samb 39′, Ahmataj 43′, Da Silva 66′, Rizvani 75′

Kukës, 26 mars 2014 – Emocione të shumta në Kukës. Plot pesë gola të shënuar në “Zeqir Ymeri”, në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë, luajtur mes verilindorëve të Starovës dhe durrsakëve të Biturkut. Fitojnë kuksianët me rezultatin 3-2, por këto shifra nuk japin ndonjë garanci për kualifikimin, kur dihet se kthimi do të luhet në “Niko Dovana”. Dy gola në fushë kundërshtare në ballafaqime të këtij lloji, shtuar këtu edhe goditjen e shtyllave dy herë, do të thonë shumë për potencialin e Teutës. Në këtë mënyrë asgjë nuk është e mbyllur, duke ia lënë “stafetën” gjysmëfinales së kthimit, e caktuar të zhvillohet pas dy javësh në qytetin bregdetar.

Kukësi e nis që në minutën e parë me gol. Sapo është ekzekutuar topi nga mesi i fushës për të nisur kjo gjysmëfinale e parë e Kupës së Shqipërisë, vendësit shpalosin orientimin e tyre të qartë sulmues. Në sulmin e parë drejt portës së Rizvanit, Izucuku, i ardhur në merkaton e janarit nga Bylisi, shënon dhe ngre në delir tifozët verilindorë. U duk se mësymja e nënkampionëve të vendit nuk do të ndalej, por gjithçka shkon në një ekuilibër loje, falë rikuperimit të shpejtë psikologjik që i kanë bërë vetvetes durrsakët. Ata nuk e humbasin toruan nga disavantazhi i shpejtë, përkundrazi, ndërtojnë një “rrjetë” me shumë futbollistë në mesfushë, duke tentuar t’i mbajnë vendësit sa më larg portës së tyre. Kjo strategji funksionon, sepse amortizon dukshëm vrullin dhe dëshirën e madhe të Kukësit për të shënuar gola të tjerë, ndërkohë që maksimalizon nivelin e reagimit të miqve. Mbrojtësi Ahmataj, i ardhur në ndihmë të sulmit, finalizon në minutën e 8-të një aksion koral e me shumë pasime të të tijve. Ai godet saktë dhe barazon rezultatin. Në minutën e 23-të kemi një dyluftim në zonën kuksiane mes Malotës dhe Xhafajt, me vlonjatin që rrëzohet dhe pretendon penallti. Kryesori Jemini i tërheq vëmendjen për simulim, duke e paralajmëruar për ndëshkim me të verdhë në rast përsëritjeje. Pjesa e parë përfundon në barazim 1-1.

Pjesa e dytë nis pa zëvendësime. Në minutën e 56-të, Jakupi i afrohet fare pranë golit, gati për t’i dhënë “knock out”-in Kukësit. Pas krosimit nga goditja e dënimit të Ahmatajt, topi shkon në zonën e Halilit, ku Jakupi godet me kokë traun e portës vendëse. Drithërima te verilindorët, që mund të kishin pësuar golin e një eliminimi të sigurtë. Biturku bën zëvendësimin e parë. Del Idrizaj dhe futet Dosti, duke kaluar në skemën 4-4-2. Biturku bën edhe zëvendësimin e dytë në minutën e 69-të, duke kërkuar më shumë freski dhe më tepër shpejtësi. Për këtë gjë hidhet në lojë Joel, në vend të Xhafajt. Starova, nga ana e tij, akoma nuk ka kryer ndonjë lëvizje në formacion, edhe pse skuadra e tij nuk po funksionon si duhet. Pak më shumë se dhjetë minuta ka në dispozicion edhe Hysa, sulmuesi shtashkurtër, por që rezulton tejet efikas në minutën e 77-të. Atë nuk e markon dot Osmani, duke i dhënë mundësinë të sapofuturit në lojë të kalojë kuksianët në avantazh, duke ndëshkuar ish-skuadrën e tij. Entuziazëm i madh në shkallët e stadiumit, sepse fitorja tashmë u buzëqesh atyre. Megjithatë, nuk do të mbaronte këtu misioni i verilindorëve, sepse nuk mund të mungonte në këtë triumf kavajasi Cikalleshi, që u duk se vulosi shifrat 3-1 për të tijtë në minutën e 83-të, duke i dhënë tjetër përmasë suksesit të skuadrës së Starovës. Mirëpo, një tjetër mbrojtës durrsak i ndëshkon verilindorët. Pas Ahmatajt është Jakupi, ai që i jep zgjidhje lëmshit të krijuar në zonën e Halilit, pas goditjes nga këndi, duke e dërguar topin në rrjetën e vendësve. Ngushtohet disavantazhi, ndërsa kjo “rrjetë” është me shumë peshë për shanset e kualifikimit. Asgjë nuk është e vendosur duke patur parasysh se ndeshja e kthimit do të luhet në “Niko Dovana” pas dy javësh, aty ku skuadrës së Ilir Biturkut i nevojitet edhe një sforco e vogël për të arritur misionin. Dy golat në transfertë janë një siguri e madhe për kualifikimin, ndërsa Kukësit do t’i duhet shumë punë në kthim, për të qenë ai në finalen e këtij kompeticioni dhe për të mos i “larë duart” me Kupën që në gjysmëfinale, si vitin e shkuar.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/