Ndër ekipet me ecurinë më të mirë në fazën e tretë të kampionatit, durrsakët janë një skuadër e rikthyer në identitet me trajnerin Magani. Më parë frenuan Partizanin në shtëpi, ndërsa më tej i morën pikë Skënderbeut në Korçë.Kukësi shkon në Durrës për tu rikthyer në krye të renditjes. Të paktën për 24 orë.
Një mënyrë e mirë për të vendosur nën presion Partizanin. Tre pikë për ti treguar rivalëve për titull që Kukësi është aty, i gatshëm të përfitojë nga çdo hap fals. Por, më parë, skuadra e Ernest Gjokës duhet të evitojë ndalesat. Ajo ndaj Vllaznisë ndryshoi ekuilibrat e kampionatit dhe vetëm fakti që janë të pamposhtur në 28 javë të Kategorisë Superiore mund të mos mjaftojë. Por fakti që durrsakët ende nuk janë larguar plotësisht nga zona e rënies nga kategoria, i bën të frikshëm edhe përballë Kukësit, që me Teutën kërkon të vijojë serinë pozitive.
Në dy vizitat e fundit në Durrës, Kukësi ka vuajtur. Barazim pa gola një vit më parë dhe fitore 2-1 me përmbysje në minutat e fundit në duelin e fazës së dytë të këtij sezoni. Edhe këtë të shtunë në orën 19:00, në “Niko Dovana” nuk do të jetë e lehtë.