Asambleja e Zakonshme e Përgjithshme e FSHF-s ka zgjeghur ditën e djeshme edhe anëtarët e Komisionit të Etikës për dy vitet e ardhshme, teksa pjesë e këtij komisioni do vijojnë të mbeten Bejkush Birçe, Bashkim Koka, Fatmir Braka e Ardian Leka. 

Emri më i ri që do të bëjë pjesë në Komisionin e Etikës është Agron Kuliçaj i cili më parë ka qenë nëndrejtor i Policisë së Shtetit. Ai ka mundur të marrë 50 vota, ndërsa ka lënë pas Hito Hitajn, Dashnor Sulën dhe Suel Hadrin. Por, zgjedhja e Kuliçajt nuk ka kaluar pa u kontestuar, pasi presidenti i Teutës, Edmos Hasanbellit, ka thënë: “Është absurd që Kuliçaj të zgjidhet anëtar i Komisionit të Etikës. Ç’lidhje ka ky njeri me futbollin dhe përse duhet të jetë aty?! Këto janë gjëra të paprecendenta dhe të panevojshme”. 

Hasanbelliu e konsideron skandaloze këtë zgjedhje dhe përgjegjësinë ia lë pikërisht presidentit Duka që bën pjesë të botës së futbollit të tilla figura. Zgjedhja e Kuliçajt ka ngacmuar edhe politikën, teksa ka reaguar edhe deputeti Taulant Balla me anë të një postimi të bërë në faqen e tij në facebook. Në faqen e tij në Facebook deptueti socialist flet për absurdin sesi ish-truproja i Sali Berishës merr më tepër vota se sa Hito Hitaj, një emër i njohur i futbollit shqiptar, ndërkohë që në listën e kandidatëve ishte dhe ish-deputeti i PD, Dashnor Sula. 

“Si ka mundesi që në këtë Komision kaq të rëndësishëm të FSHF propozohen këta lloj njerëzish?! Si mund të futet në votim Dash Sula, kur vetë FSHF i ka ndaluar përjetë prezencën në një stadium futbolli për goditje me armë dhe kërcënim me jetë të gjyqtarëve të futbollit?! Si ka mundësi që një njeri i inkriminuar si Agron Kuliçaj mund të kontrollojë Etikën në futbollin shqiptar”, shkruan Balla.