Ndërtimi i 4 kullave në qendër të Durrësit, në lagjen nr.3 më e larta e të cilave kap lartësinë 30 kate ka suprizuar jo pak qytetarët. Kjo dhe për shkak se godinat shumëkatëshe, do të ndërtohen në një zonë që ka densitet ndërtimesh, por edhe densitet lëvizhmërie automjetesh në çdo orë të ditës, për shkak të afërsisë së saj me sheshin “Liria”.
Ndërtimi i kësaj gradaçele në mes të zonës urbane kritikohet nga urbanisti Artan Kacani. Ai nënvizon aspektin sizmik, urban dhe atë arkeologjik si 3 komponentë të forte, se pse kulla shtatlartë nuk duhet të ndërtohet aty.
“Kullat në qytetin e Durrësit janë tepër dhe për këtë mund të sjell 3 atsye themelore. Arsyeja nr.1 lidhet me faktin e sizmicitetit. Kemi të bëjmë me një territor që është argjilor, i paqëndrueshëm. Arsyeja nr.2; kemi të bëjmë me një zonë që është e mbingopur me transportin, me qendrën urbane dhe trafikun. Arsyeja nr.3; kjo lloj kulle bie ndesh me një territor, ku mendohet dhe është faktuar se ndodhet teatri antik i qytetit të Durrësit.“
Me prishjen e godinave 2 dhe 3 kate mbi të cilat do të ndërtohet kulla, qyteti do të humbë një nga banesat e stilit liberty dhe neoklasik dhe gjithashtu një nga 12 instalacionet e shtegut të “Dyerve të vjetra”, projekt ky i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit EU4Culture.
Por në planin afatgjatë, qyteti mund të humbë shumë më tepër sesa kaq, sepse dëmet shkatërrimtare të tërmetit të nëntorit 2019 janë ende të gjalla në memorien kolektive.
“Çfarëdolloj ndërtimi që ndodhet rreth e qark nuk ka një densitet të lartë. Me ndërtimin e kullave me densitet të lartë, jo vetëm që rrezikojnë banorët, por njëkohësisht rrezikojnë jetën në këtë komunitet. Po flasim për një territor që është vazhdimisht nën vibrimet sizmike”.- thotë Kacani.
Shumë nga bizneset që ushtronin aktivitetin në katin e parë të godinave, që do të shemben kanë ulur qepenët përgjithmonë. Të tjerë pritet të largohen së shpejti.

Vendin e godinave 1, 2 apo 3 kate, pritet ta zërë një “çiban” në mes të lagjes, që do të ngrihet mbi atë që mendohet se fshihet në nëntokë, teatrin antik të qytetit.
M.B.





