Francë, 30 mars 2014 – Atraksioni i patejkalueshëm në Paris, Kulla Eiffel sot kremton 125 vjetorin. Më 30 mars 1889 inxhinieri Gustav Eiffel përfundoi punimet në këtë pirg metalik të cilin tani brenda një viti e vizitojnë më shumë se 5,5 milionë turistë. Kulla në vitin 1889 u ndërtua si eksponat për Ekspozitën botërore me rastin 100 vjetorit të Revolucionit francez. Deri në vitin 1930 kulla ka qenë objekti më i lartë në botë, 300 metra pa antenë.
Kulla Eiffel është përuruar më 31 mars 1889 e solemnisht është hapur më 6 maj të atij viti. Struktura e saj është e përbërë nga 18.038 pjesë hekuri të ndërlidhura me 2,5 milionë gozhdë. Gjatë kohës së ndërtimit, falë masave të sigurisë që i kishte ndërmarrë Eiffel, është vrarë në punë vetëm një punëtor që për atë kohë ka qenë arritje e jashtëzakonshme.
Struktura metalike është e rëndë 7.300 tonë e deri në majë janë 16.665 shkallë. Çdo shtatë vjet, për shkak të ndryshkut, e gjithë struktura ngjyroset. Kohë pas kohe ngjyra i ndryshohet e aktualisht Kulla është me ngjyrë kafeje. Në varësi të kushteve atmosferike, maja e Kullës prej vertikales mund të largohet tetë centimetra nga ana e Diellit. Largimi ndodh për shkak të ngrohjes së metalit në anën e Diellit dhe në hije.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





