Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot lidhur me debatin për ndërtimin e godinës 65 katëshe pas Teatrit të Operas dhe Baletit, e quajtur “Mali i Tiranës” .

Shkrimi i plotë

Gati një vit më parë u organizua një konkurs ndërkombëtar, ku një juri ndërkombëtare që në shumicë kishte arkitektë dhe ekspertë të mirënjohur nga disa vende të Europës, gjykoi me një debat skrupuloz në çdo detaj dhe mes pesë studiove të huaja, zgjodhi projektin e studios daneze CEBRA, për kullën që sot, një vit më pas është vendosur si një hu i sapogjetur në rrugë për mullarin e ri të baltës politiko – mediatike.

Projekti fitues nuk pati asnjë kontestim për t’u mbajtur shënim dhe u pasqyrua pëlqyeshëm jo vetëm (shumë çuditërisht) në mediat tona, po edhe (aspak çuditërisht) në disa media të specializuara ndërkombëtare për zhvillimet më të reja arkitektonike nëpër botë. Në grupin danez bënte pjesë edhe një arkitekt i ri shqiptar, me banim në Danimarkë. Në momentet e fitores së konkursit ai tha shprehimisht: Do t’u telefonoj tani prindërve të mi në Elbasan dhe do t’u them, para se të thoni herë tjetër që në Shqipëri nuk ia del dot askush pa miq e pa rryshfet, mos e harroni rastin tim e të kolegëve të mi danezë, që erdhëm pa njohur askënd dhe pa pikën e besimit se konkursi ishte real, por do të kthehemi në Danimarkë të lumturuar nga eksperienca fantastike që patëm me organizimin e me seriozitetin mbresëlënës të këtij konkursi.

Pas përgatitjes thuajse njëvjeçare të projektit ekzekutiv, ku është përfshirë edhe njëra nga kompanitë më të mëdha inxhinierike të botës, Arup, me eksperiencë 75 vjeçare, 18.000 inxhinjerë, dizajner, ekspertë e këshilltarë me aktivitet në 140 vende të botës, si edhe pas pagesës së taksës rreth 4 milionë € në Bashkinë e Tiranës, kompania në marrëveshje me pronarët e tokës, që zakonisht në Tiranë përfitojnë deri gjysmën e investimit, rrethoi truallin për të ngritur kantierin e ndërtimit.

Fillimisht një grupth që endet nëpër Tiranë me misionin e shpëtimit të Shqipërisë nga murtaja kapitaliste, u mblodh tek rrethimi i kantierit për të vënë kujën e tij karakteristike të kundërshtisë qorre, duke hedhur pjesën e vet të baltës rreth hurit të mullarit të ri, ku shumë shpejt nxituan të turren plot nga të zakonshmit e këtyre rasteve; ca të pagjumë nga drejtësia e re që po u rrethon trojet e xanuna të jetës së tyre publike pa atdhe, din e iman; ca të vrerosur nga dështimet e njëpasnjëshme të revolucioneve të dhunshme, që i plakën kanal më kanal e portal më portal, po s’erdhën kurrë; ca me vulë, ca pa vulë e ca me vulëasvulë, mes të cilëve edhe ndonjë derdimen i sapozgjuar, me bluzën e jeshilosur nga djersa e gjumit të stërgjatë, ama me flokët pikë, njësoj si në çastin kur u zhduk nën jorgan në hyrje të verës së shkuar, plus ndonjë pinjoll i përcëlluar, si thëngjill ende i pazbuluar në nëntokat e xanuna, po edhe ndonjë tjetër akoma, pa lidhje fare me këta, që i’u turr projektit të kullës, si të ishte hartë e vjetër romake që të çon tek zbulimi i një thesari, krijuar këtë herë nga një konspiracion i madh financiar, me prapavijë konsensuale politike, i cili orkestrohet nga kush tjetër, përveçse nga unë dora vetë, që u hidhkërkam kocka kundërshtarëve nga frika se mos më kafshojnë me gojën e tyre të mosozotshme, ku thuajse s’ka mbetur asnjë dhëmb.

U hapën kështu thasët e baltës, marrë turravrap në krahë për të ngritur rreth hurit të gjetur mes vapës së gushtit mullarin e “grabitjes” së radhës, duke ushqyer dëgjues, lexues e thashethemues që kanë ende dëshirë e nge të përtypin baltë nga e thasëve të këtyre hamejve të së shkuarës dhe duke mbajtur kësisoj vetveten me gajretin e pavdekshëm të iluzionit të vjetër, se kështu do të rrëzojnë regjimin. Dhe u nakatosën bashkë me baltën e gërrgërrditësve të zakonshëm edhe kunja të vjetra, gozhda inatesh të pandryshkura, vida gjelozirash të pashërueshme e jargë zilirash të pangushëllueshme dhe mullari u lartësua me shpejtësi, në pikën që u krahasua deri edhe me “djegësat” famëkëqinj apo u shikua si një i atillë katallan i zi, që mund edhe t’i linte vetë “djegësat” nën hijen e tij. U ngrit rrufe edhe padia e radhës për SPAK-un, e cila tanimë është bërë patatja dhe gjella e çdokujt që ka një gur për të hedhur, një dorë për të fshehur a një kunjë për të nxjerrë, duke e detyruar organin më të fuqishëm të akuzës në vend, që për shkak të një legjislacioni të mbingarkuar mbi shpinën e tij, të merret edhe me letrën e fundit anonime, ndërkohë që i ka duart e zëna seriozisht me patate gjithnjë e më të nxehta të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Arsyeja pse po i shkruaj këto radhë nuk është, largqoftë, të merrem me tërë ata e ato, që gjetjen e hunjve dhe ngritjen e mullarëve të baltës e kanë si reaksion kimik të trurit ndaj absolutisht çdo vepre, që kjo qeveri e poshtër realizon në këtë vend. Fundja në 1 nga 100 hunj që ngulin arrinë të qëllojnë në shenjë dhe nuk është pak, po të llogarisësh se kanë 100 vjet që gjejnë e ngulin mesatarisht 1 hu çdo 3 ditë. Po duke e ndjekur nga larg ngritjen e këtij mullari balte të radhës dhe duke qenë personalisht i përfshirë në këtë “aferë” për shkak të detyrës e të pasionit tim për transformimin e Shqipërisë, nuk rrija dot pa ndarë me ata që kanë pasur ngenë e nervat të arrinë deri tek ky rresht i këtij çarçafi të gjatë, hallin tim përballë kësaj gjykate laramane të mbledhur kundër kullës së re, ku halli i një gjykatësi nuk i ngjan hallit të gjykatësit tjetër, ndërkohë që i imi nuk ka lidhje fare, po fare, me asnjë nga hallet e tyre.

Halli im këtu është fatmirësisht më i rëndi dhe më i thjeshti! Si të nxjerrim maksimumin e fuqisë rrezatuese dhe tërheqëse për Tiranën, duke realizuar një tjetër kullë ikonike, të cilën nuk e financon e as e ndërton shteti, po e mundëson marrëveshja krejt private mes pronarëve, investitorëve, arkitektëve e inxhinierëve, po ku, ama, autoriteti përkatës shtetëror ka jo vetëm detyrën që t’i hapë rrugë zhvillimit legjitim të një prone private, konform vizionit të zhvillimit të kryeqytetit, po edhe të drejtën të kërkojë nga zhvilluesit cilësinë më të lartë të mundshme arkitektonike e inxhinierike.

Po pse e mbaj unë këtë hall, për çfarë qëllimi tjetër përveç atij që sapo thashë?! Eh, ja këtu, mu këtu, halli im bëhet, fatkeqësisht, shumë thjeshtësisht i rëndë, sepse s’ka Zot apo më saktë, sepse përveç Zotit dhe atyre që më njohin sadopak nga afër, më është e pamundur, absolutisht e pamundur, t’ia rrëfej gjykatës laramane, po edhe ndjekësve të saj të etur për baltë, gjak e teori konspiracioni, se halli im nis e mbaron me realizimin sa më bukur të një vepre si kjo apo si çdonjëra nga kullat, ndërtesat, shkollat, spitalet, rrugët, bulevardet, muzetë e me radhë, që po e ndryshojnë këtë vend dita – ditës, po që nuk mjaftojnë e duhen bërë më shumë, më shumë, më shumë… E pamundur t’u shpjegosh atyre që kanë Zot paranë, që udhëhiqen në jetë nga urrejtja, që verbohen në gjykim nga xhelozia, që sundohen në veprim nga ndjenja të ulëta në emër të parimeve të larta apo që thjesht duan t’u dalë e tyrja edhe sikur të bëhet shkrumb e hi, lumturinë e krijimit, realizimit të një vepre që i shërben njerëzve, vendit, historisë së shkruar duke ndezur çdo ditë një dritë tjetër për ta bërë ditë natën e vjetër qindra vjet mbi këtë tokë të vogël shqiptare, në vend se të mallkosh përditë errësirën, pa të cilën lakuriqët e turlillojshëm të këtij vendi nuk e luajnë dot rolin e shqiponjave! E pamundur t’u tregosh se si nata bëhet më e shkurtër nga zgjatja e ëndrrave me sy hapur për veprat që i mbars pasioni, i ushqen dëshira për t’i lindur dhe i sjell në jetë e i zhvillon mundimi, shpeshherë i pashoq, në kapërcimin e dhjetë pengesave të parashikuara e nganjëherë, edhe e njëqind të tjerave të paparashikuara! E pamundur të ndash me ta dhimbjet torturuese të lindjes së një vepre mbi tokën e rrëshqitshme të “Shqipërisë që nuk bëhet” dhe çlirimin jetëzgjatës të kundrimit të saj, kur vepra ka hyrë në jetën e përditshme si një hallkë e re e zinxhirit të ëndrrës që vazhdon drejt dritës!…

Shqipëria sot është bërë lajmi i mirë, për shumëkënd befasues, i një destinacioni të ri në Mesdheun e peshqve më të mëdhenj të turizmit botëror, e kjo Shqipëri s’ka dalë nga deti, s’ka rënë as nga mali, se detet e malet aty ishin edhe kur këtu, turisti më europian vinte nga Gjakova a nga Tetova, po ka ardhur nga vite të tëra pune, Rilindjeje Urbane nga Vermoshi në Berat e Gjirokastër, në Lezhë, Durrës, Vlorë, Himarë e Sarandë, investimesh të mirëshënjestruara në infrastrukturë, aty ku janë çliruar potenciale të fjetura turistike, nga Thethi në Nivicë; agroturizmash që mbijnë përditë si këpurdhat në Shqipërinë rurale apo kantinash vere që tërheqin çdo vit e më shumë turistë deri në Mirditë e në Poliçan, falë mbështetjes me grante nga qeveria e Bashkimi Europian; parqesh arkeologjike e monumentesh kultura të rilindura në buzë të humnerës së zhdukjes përgjithmonë; investimesh gjithnjë e më cilësore private në industrinë e mikpritjes përgjatë bregdetit, nga Velipoja e deri në Ksamil, po edhe natyrisht, transformimit rrënjësor të zemrës së madhe të Shqipërisë, Tiranës, ku kullat e ngritura krahas mullarëve të baltës që shoqërojnë si hije vajtojcash të “këtij vendi që s’bëhet” ndërtimin e tyre, janë motorët e fuqishëm të ndryshimit, optimizmit, shpresës dhe ambicies për të ardhmen. I gjithë ky zhvillim që po e nxjerr përgjithnjë Shqipërinë nga cepi i errët i përbuzjes botërore në detin e hapur të jetës europiane, ku era e ndryshimit po sjell nga të katër anët numra marramendës turistësh të magjepsur prej këtij vendi që më në fund ka filluar të bëhet, ka patjetër edhe gabimet, deformimet, ekseset e veta, por s’ka mullar balte dhe gjyq qëllimesh që ia zeron dot përmasën historike, e cila është krijesë e pasionit dhe këmbënguljes së paepur, në një mjedis politik e mediatik të pushtuar nga ligësia e gjallesave të destinuara të harrohen, njësoj si balta pas shiut apo si mullarët e baltës pas ndërtimit të kullës së radhës.

Prandaj, teksa gjyqi inkuizicional i kullës më të re do të përmbushë edhe ai misionin e vet të mallkimit të vjetër të çdo gjëje të mirë që mbin në këtë tokë, kulla tjetër e radhës do të shfaqet me patjetër, si një tjetër fryt i pasionit dhe këmbënguljes për Shqipërinë, e për pasojë edhe si ftesë për një tjetër gjyq me mullarin përkatës të baltës së dalë nga thasët e aradhesë së bartësve të mallkimit, sepse mbase ky vend s’do shpëtojë kurrë nga ata që baltën e kanë bukën e gojës, po pa asnjë diskutim, as Tirana e as Shqipëria nuk kanë kohë për të humbur pas shekujsh zvarritjeje dhe as fëmijët e Shqipërisë nuk ia kanë borxh të nesërmen e tyre tufës laramane të atyre që vesi i vjetër i baltosjes me shkulm e zulm të çdo vepre a qoftë edhe vetëm qëllimi të mirë në këtë vend, do t’u dalë veç me shpirtin.

POST SCRIPTUM
Mbase kushedi ndonjëri ngrihet e thotë s’kemi gjë me kullën, po me këtë e atë që themi-thuhet-thanë- thonë-thomi-thumi se fshihen pas saj, prandaj po e përsëris se ky shkrim u bë për hallin e autorit, që për të tëra arsyet e thëna më lart e dëshiron me gjithsej ndërtimin e kullës së re. Të askujt tjetër.